Ditët e fundit në futbollin kosovar kanë qenë mjaft të nxehta dhe me zhvillime të papritura.
Dihet se tashmë kryetari aktual i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka hyrë në muajt e fundit të detyrës së tij dhe pas disa muajsh futbollin e presin zgjedhje për të parin e FFK’së, shkruan GazetaBlic Sport.
I pari i FFK’së, Agim Ademi ka konfirmuar para disa ditësh në ATV se do të kandidojë sërish për këtë pozitë – por duket se do të ketë një garë jo edhe shumë të lehtë, pasi ditët e fundit në publik janë shfaqur persona që poashtu do të synojnë karriken kryesore në Federatën e Futbollit të Kosovës.
Kush do të kandidojë?
Deri në ditën e sotme, kundërkanditatët e Agim Ademit në zgjedhjet e ardhshme të FFK’së janë: Remzi Ejupi (President tek KF Prishtina), Arianit Ahmeti (Ish zëvendës-sekretar në FFK) dhe Nexhat Dumnica (Ish president i KF Llapit).
Pos konfirmimit, kundërkanditatët e Agim Ademit nuk kanë hyrë në detaje, ose që kanë paraqitur projekt ose planprogram se si do ta udhëheqin institucionin më të lartë të futbollit vendor. Kjo për shkak se zgjedhjet nuk janë shpallur akoma dhe ka disa muaj kur pritet të zgjidhet kryetari i ri i FFK’së, andaj ata janë duke punuar në këtë drejtim.
Remzi Ejupi, president në largim i KF Prishtinës ka potencuar se ai do të jetë një ndër kanditatët në zgjedhjet e ardhshme në FFK.
Gjatë ditës së djeshme ai ka deklaruar se po punon në projektin që do t’ua paraqes klubeve në ditët vijuese.
“Duhet të gjitha klubet te ulemi dhe të vendosim një njeri dhe jo rajonet qe kane vendosur qe 30 vite”, tha fillimisht Remzi Ejupi për Duelin Sportiv.
Ai potencoi se është duke punuar për planprogramin që ai do të paraqesë.
“Jam duke punuar me një ekip nderkombëtar, jam duke punuar dhe ajo do t’i prezantohet të gjitha klubeve. Unë jam i dënuar, sepse kam kritikuar, kritikat duhet të merret si këshille dhe jo të denohet. Aksionarët nuk duhet të dënohen, por duhet t’i ndihmojmë”, vazhdoi ai.
Pas Remzi Ejupit, erdhi edhe kandidatura e radhës, ajo e Arianit Ahmetit, ish zëvendës-sekretarit të FFK’së – i cili sot e ka konfirmuar se do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme për të synuar kryetarin.
“Ju konfirmoj se e kam mbështetjen e klubeve, mbi 15, të nevojshme për kandidim për kryetar të FFK-së. Në ditët në vijim do ta prezantojë programin tim për udhëheqje të FFK-së”, tha Arianit Ahmeti për “Gazetën Express” ish zëvendëssekretari i FFK-së, i shkarkuar nga ky post, por që pastaj shkarkimi i tij ishte konstatuar i jashtëligjshëm nga Inspektorati i Punës dhe Gjykata Themelore në Prishtinë.
Përveç Ahmetit e Ejupit, sot ka rikonfirmuar kanditaturën e tij edhe Nexhat Dumnica, ish kryetari i KF Llapit.
Nexhat Dumnica, ish-Presidenti i KF Llapit, Nexhat Dumnica për RTV Dukagjini ka bërë të ditur se nuk është tërhequr nga gara për Kryetar të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe se do të vazhdojë të jetë kandidat për postin e të parit në FFK.
/GazetaBlic Sport


