Lajme

Gara për gjyqtar të Kushtetueses kthehet në pikën zero, konkursi i ri do të jetë për dy gjyqtarë

06/04/2021 18:03
nga:M K

Dje në Kuvend të Kosovës ka dështuar përzgjedhja e një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese pasiqë asnjëri nga 3 kandidatët në garë nuk morën votat e mjaftueshme të deputetëve.

Në raundin e tretë të votimit pjesëmarrës ishin 94 deputëtë nga të cilët 49 votuan Vigan Qorrollin e 38 Haxhi Xhemajlin dhe 7 fletëvotime ishin të pavlefshme.

Dje ka dështuar votimi për përzgjedhjen e një gjyqtari të Kushtetueses ngase kandidatët në garë nuk i bindën shumicën e nevojshme të deputetëve për t’i votuar.

Si rrjedhojë e mosvotimit në Kuvend, i gjithë procesi është rikthyer në pikën zero.

Profesori universitar, Florent Muçaj, sqaroi për Reporteri.net se nuk është hera e parë që procesi i votimit për gjyqtar të Kushtetueses ka dështuar në Kuvend.

“Në Republikën e Kosovës nuk është hera e parë që dështojnë proceset për zgjedhjen gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Edhe më herët ka ndodhur që procesi të dështojë dhe më pas është ri shpallur konkursi. Në rastin konkret, pas dështimit të djeshëm të Kuvendit, duhet të rishpallet konkursi dhe procedurat nisin nga fillimi”, tha Muçaj.

Por, konkursi i ri që duhet të hapet nga Kuvendi do të jetë për dy gjyqtar.

Përveç përfundimit të mandatit të kryetares aktuale të Kushtetueses, Arta Rama-Hajrizi, nga ky institucion dorëheqje ka dhënë edhe Bekim Sejdiu, ish-gjyqtar.

Megjithatë, sipas Muçajt, mungesa e dy gjyqtarëve nuk do ta pengojë punën e organit më të lartë të interpretimit të Kushtetutës.

“Në përbërjen aktuale që e ka Gjykata Kushtetuese, aktualisht nuk pengohet puna e saj në marrjen e vendimeve. Sipas nenit 19 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese Gjykata Kushtetuese ka kuorum nëse janë të pranishëm shtatë (7) gjyqtarë. Vendimet merren me shumicën e votave të gjyqtarëve që janë të pranishëm dhe që votojnë”, tha profesori i së drejtës kushtetuese.

Procedura e përzgjedhjes

Kuvendi i Kosovës është institucioni që ligjërisht fillon procedurën e përzgjedhjes së gjyqtarëve të Kushtetueses duke e publikuar thirrjen për nominim të kandidatëve.
Kandidaturat për t’u bërë anëtar të kësaj gjykate bëhen përsonalisht nga individët që dëshirojnë t’i futen garës për gjyqtar të Kushtetueses.

Një gjë e tillë është paraparë në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese në të cilën thuhet se “një person mund të propozojë veten për kandidat”.

I njëjti ligj parasheh procedurat për shqyrtimin e kandidatëve për emërim në Kushtetuese.

Sipas nenit 6 të ligjit për Gjykatën Kushtetuese përcakton se duhet të themelohet një Komision i posaçëm, që udhëhiqet nga kryetari i Kuvendit apo nga përfaqësuesi i tij.

Përbërja e komisionit përfshinë shefat e të gjitha grupeve parlamentare apo të deleguar të tyre, kryetarin e Këshillit Gjyqësor, Avokatin e Popullit, përfaqësuesin e Këshillit Konsultativ për Komunitete dhe përfaqësuesin e Gjykatës Kushtetuese.

Kandidatët i nënshtrohen testimit me shkrim dhe intervistimit.

Pas përfundimit të kësaj faze, parashihet votimi në Komision, i cili votim është paraparë nëpërmjet Ligjin për Gjykatën Kushtetuese.

“Komisioni vendos me shumicën e thjeshtë të votave. Në rast të votimit të barabartë, vota e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës apo përfaqësuesit të tij/saj të deleguar është vendimtare”, thuhet në Ligj.

Ndërkaq pas intervistimeve me shkrim e me gojë, Komisioni i posaçëm brenda afatit prej pesëmbëdhjetë ditësh, i shqyrton kandidaturat dhe i dërgon Kuvendi listën e ngushtë me arsyetimet për propozimet.

“Lista e ngushtë përmban më shumë kandidatë sesa numri i gjyqtarëve të cilët do të zgjedhën, por jo më tepër se pesë (5) kandidatë për një post të lirë”, thuhet në nenin 6.8 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese.

Për emrat e propozuar nga Komisioni votohet në Kuvend me dy të tretat e votave të deputetëve që marrin pjesë në votim.

Kandidatët që marrin votat e mjaftueshme, i propozohen për dekretim presidentit për gjyqtar të Kushtetueses.

Kriteret për gjyqtar të Kushtetueses

Përveç se duhet të jenë jurist të shquar dhe personalitete me moralin më të lartë, gjyqtarët e Kushtetueses duhet të kenë jo më pak se dhjetë vjet përvoje profesionale përkatëse.

“Jurist të shquar me reputacion të shkëlqyeshëm profesional me jo më pak se dhjetë (10) vjet përvojë pune profesionale veçanërisht në fushën e së drejtës publike dhe kushtetuese të dëshmuar, mes tjerash, përmes punës profesionale si gjyqtarë, prokurorë, avokatë, shërbyes civil ose mësimdhënës universitar dhe punë tjera të rëndësishme të natyrës juridike”, thuhet në Ligj.

Gjyqtarët e Kushtetueses zgjidhen nga Kuvendi e dekretohen nga Presidenti i vendit për një mandate nëntë vjeçar pa mundësi vazhdimi.