Dihet se tashmë kryetari aktual i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka hyrë në muajt e fundit të detyrës së tij dhe pas disa muajsh do të mbahen zgjedhjet për të parin e FFK-së.
Deri në ditën e sotme, kundërkanditatët e Agim Ademit në zgjedhjet e ardhshme të FFK’së janë: Remzi Ejupi (President tek KF Prishtina), Arianit Ahmeti (Ish zëvendës-sekretar në FFK) dhe Nexhat Dumnica (Ish president i KF Llapit), por natyrisht që të gjitha këto janë ende kandidatura të pa zyrtarizuara.
GazetaBlic Sport ka kontaktuar drejtori sportiv të Dritës, Valon Zymberin, i cili ka dhënë komentin e tij për garën që do të zhvillohet.
Ai tha se duhet të pritet që të shpallet data e zgjedhjeve dhe të kuptohet se cila kandidatura do të jenë zyrtare, më pastaj edhe të komentohen ato.
“Natyrisht, është shumë mirë që ka disa figura që kanë shprehur dëshirën e tyre për kandidim në lidhje me pozitën e të parit në krye të FFK-së. Procesi zgjedhor do të jetë shumë pozitiv nëse do të ketë më shumë kandidatë, do të kemi me shumë mundësi dhe më shumë programe. Mirëpo, ne do të presim që të shpallet data e zgjedhjeve dhe që më pas këto kandidatura të zyrtarizohen. Komentet shtesë për këto kandidatura mund të bëhen vetëm atëherë kur do të kuptohet ana e tyre zyrtare. Ajo se çfarë mund të them është se disa prej figurave që kanë shprehur vullnetin e tyre për kandidim, janë figura të respektuara në futbollin tonë“, tha Zymberi.



