Sporti

Gara për FFK/ Begolli: Është mirë që ka njerëz të ri që pretendojnë ndryshimin – por deri më tani s’kemi pa plan konkret, në FFK ka pasur pakënaqësi

02/21/2022 19:50
nga:Lorik J

Ditët e fundit në futbollin kosovar kanë qenë mjaft të nxehta dhe me zhvillime të papritura.

Dihet se tashmë kryetari aktual i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka hyrë në muajt e fundit të detyrës së tij dhe pas disa muajsh futbollin e presin zgjedhje për të parin e FFK’së, shkruan GazetaBlic Sport.

Remzi Ejupi, Arianit Ahmeti e Nexhat Dumnica janë kundërkandidatët e Agim Ademit deri më tani, por gjithçka duket në fazën finale, pasi akoma nuk janë shpallur zgjedhjet dhe nuk dihet data e saktë se kur do të mbahen, edhe pse deri në muajin korrik ky proces duhet të marrë fund.

Granit Begolli, trajneri dhe analisti i njohur kosovar ka komentuar në lidhje me zhvillimet e fundit në futbollin kosovar, ku vlerëson personat që po shprehin interes, pasi gara do të jetë më interesante, por thotë se duhet shohim se kush arrin nënshkrimet për të kandiduar seriozisht.

“Shumë kandidatura – por sa do të arrijnë t’i marrin nënshkrimet për të kandiduar në momentin kur do të votohet për të parin e FFK’së – kur dihet mir se vetëm tre mund te jenë kandidatët”, tha fillimisht Granit Begolli për ‘GazetaBlic Sport’.

“Është mirë që ka njerëz të ri që pretendojnë ndryshimin – por deri më tani s’kemi pa plan konkret se çka ofron njëri apo tjetri për ta udhëhequr FFK’në”, vazhdoi Begolli.

Begolli thotë se kandidatët duhet vlerësuar kur t’i shpalosin projektet e tyre.

“Sigurisht të gjithë janë njerëz të lidhur me sportin në një mënyrë apo tjetrën, por sa e kanë ata seriozisht kandidimin – mbetet të shihet kur duhet të shpaloset më hollësisht plani se çka synojnë të ndryshojnë, e a do te mund t’i bindin klubet, më saktë delegatët e tyre që t’i votojnë”.

Në fund, Begolli tha se duhet shikuar njëherë puna e FFK’së – e më pas klubet të shikojnë kandidatët dhe të vlerësojnë se kush dëshirojnë t’i udhëheqë.

“Ndoshta në fillim duhet m’u vlerësu puna se çfarë është bërë në FFK duke e ditë se ka pas shum aludime për situata të ndryshme të shkaktuara aty, shumë pakënaqësi, shumë shkarkime e ndryshime në shumë pozicione, ndoshta kryetari aktual ka pa se duhet ndryshu shumë çka aty, ndryshimet gjithmonë sjellin pozitivitet e risi, shpresojë që kësaj radhe të ketë garë, të jenë dy kandidatë e të shpalosin se çka do të ofrojnë, e me pas klubet te vendosin se kush do t’i udhëheqë”, përfundoi ai.

/GazetaBlic Sport