Zyrtarja për media e Aeroportit të Prishtinës, Valentina Gara, ka ndarë me qytetarët përvojën e saj personale, duke theksuar përmirësimet e mëdha që janë bërë në infrastrukturën e aeroportit, pavarësisht kushteve të motit, raporton GazetaBlic.
Gara ka treguar se dikur, kur arrinte në punë dhe shihte mjegullën, mund të priste anulime fluturimesh dhe ankesa të shumta nga udhëtarët, sidomos gjatë periudhës së festave të fundvitit.
“Kur mbërrija në punë dhe shihja mjegullën, e kuptoja saktë me çfarë do të përballesha gjatë ditës: me anulime të fluturimeve, ankesa dhe kërkesa për të dhëna për mediat. Moti ndikonte shumë dhe kishte mundësi të vogla për të udhëtuar, veçanërisht kur nuk ndryshonte”, ka thënë Gara, duke e kujtuar periudhën e vështirë.
Megjithatë, sot ajo e sheh situatën ndryshe, pasi investimet e bëra në zgjerimin e pistës dhe rritjen e kapacitetit të ndriçimit kanë bërë që fluturimet të shkojnë sipas planit, pavarësisht mjegullës.
“Dikur, e dija që përballesha me sfida të mëdha, por tani, edhe pse ka mjegull, kam besim se fluturimet do të shkojnë ashtu siç janë parashikuar. Investimet e fundit në infrastrukturë kanë bërë të mundur që të vazhdojmë punën pa ndërprerje”, shtoi Gara.
Përfundimisht, ajo e përfundoi mesazhin e saj me një urim të ngrohtë për bashkëatdhetarët, duke u dëshiruar atyre mirëseardhje në atdhe dhe një fundvit të gëzuar.
“Të gjithë udhëtarëve, ju uroj një mirëseardhje të ngrohtë në atdhe dhe gëzuar festat e fundvitit,” tha Gara.