Lajme

“Gara më e fortë do të jetë mes Osmanit e Kurtit”/ Analistët: Ja sa mund të rritet LDK me ish presidenten në listë

05/06/2026 22:01
nga:G B

Tashmë është e ditur nga vetë kryetari i LDK-së se ish presidentja Vjosa Osmani do të garojë në zgjedhjet e 7 qershorit në listën e LDK-së.

Kreu i partisë, Lumir Abdixhiku, njoftoi të martën se janë pajtuar që të garojnë bashkë në një listë.

Por, çka mund të pritet në këto zgjedhje me Vjosa Osmanin pjesë e listës së LDK-së dhe a pritet të jetë gara më e ashpër mes saj e Kurtit, tani si dy kundërshtarë politikë?

Analisti politik, Arbnor Sadiku, për Gazeta Blic vlerëson se bashkimi i Osmanit dhe Abdixhikut do të jetë i suksesshëm dhe do të ketë garë të fortë mes Osmanit e Kurtit.

“Do të jetë një sukses story bashkimi i Vjosa Osmanit dhe Lumir Abdixhikut dhe në të njëjtën kohë do të jetë një farë e fortë ndërmjet Albinit dhe Vjosës, meqenëse edhe kanë qenë bashkëpunëtorë të mëparshëm, por së fundmi ishte vërejtur se LVV kishte projekt për eliminimin e saj politik”, ka potencuar ai.

Sipas Sadikut, me Osmanin në listë, LDK do të rritet.

“LDK-ja do të ketë rritje me Vjosa Osmanin, pa diskutim, sa do jetë ajo rritje më pas mbetet për t’u parë pak para ditës së zgjedhjeve”, ka deklaruar Arbnor Sadiku.

Ndërsa, analisti politik, Blerim Burjani, thotë për Gazeta Blic se LDK pritet të rritet për 5 për qind me Vjosa Osmanin.

“Kuptohet është pozitive, marrëveshje për përfitime reciproke, kthimi i Vjosës pritet të rrit përqindjen së paku deri në 5%, realiteti do të shihet në zgjedhje”, është shprehur ai.

Sipas Burjanit, fushata do të jetë LDK kundër LVV dhe Osmani duhet t’i prijë kësaj fushate, duke sjellë fakte për qeverisjen e VV-së.

“Do të jetë LDK kundër LVV, fushatës duhet t’i prijë Vjosa, kjo do të ndihmojë shumë që të zhvillohet një fushatë e fuqishme mbi ngjarjet dhe qeverisjen e VV-së që për një kohë të gjatë, pesë vitet e fundit. Tash sa ka fakte politike dhe si do të zhvillohet fushata varet nga LDK, besoj se LDK me Vjosën duhet të ndërtojnë një fushatë të qartë, me fakte mbi qeverisjen e LVV-së dhe problemet e saj. VV dihet se nuk është subjekt politik edhe pse është e regjistruar por është një grumbull i caktuar i njerëzve të pakënaqur”, ka deklaruar Blerim Burjani./Gazeta Blic/

‘Dakoordimi Osmani-Abdixhiku’, Dedaj: ‘Bashkëpunim interesash personale e klanore’