Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor.
Tashmë ka nisur dhe publikimi i emrave të kandidatëve për kryetarë të komunave.
E, kur jemi te kryeqyteti, nga LDK do të jetë sërish kandidat Përparim Rama, i cili aktualisht është kryetar i Prishtinës. Nga AAK do të jetë kandidat Bekë Berisha. Nga PDK është përmendur Uran Ismaili, ndërsa nga VV janë përmendur Hajrulla Çeku e Glauk Konjufca, si emra të mundshëm, megjithatë ende nuk ka asgjë zyrtare.
Lidhur me garën për Prishtinën, analisti politik, Arbnor Sasiku, në një intervistë për Gazeta Blic ka thënë se të dy emrat e VV-së janë figura interesante por që gjithçka do të varet nga mobilizimi i partive.
“Gara do të jetë shumë e nxehtë pasi të dihen edhe kandidatët tjerë nga Lëvizja Vetëvendosje. Sigurisht që Hajrulla Çeku është një figurë interesante, edhe Glauk Konjufca, në këtë pjesë shumë do të varet se sa do të mobilizohen partitë”, ka thënë ai.
Sipas tij, Rama mund ta fitojë edhe një mandat vetëm me balotazh por që i duhet numër më i madh i asamblistëve.
“Përparim Rama mund ta fitojë edhe një mandat por vetëm pas balotazhit dhe nëse e fiton nuk do t’i duhet asgjë nëse nuk e rrit numrin e asambleistëve. I keni parë bllokadat që i kanë shkaktuar jo vetëm Ramës por kushdo që bëhet kryetar do ta ketë problem nëse nuk i bën 19-20 asambleistë që të mund të bëjë pastaj koalicion me një parti tjetër”, është shprehur Sadiku.
Kjo thotë se vlen për të gjithë kandidatët në këtë garë.
“Kushdo që do që të bëhet kryetar i Prishtinës, duhet ta bëjë fushatën më shumë për asamblistë që të ketë numër më të madh të tyre, që ta ketë pastaj më të lehtë qeverisjen komunale”, ka vlerësuar analisti për Gazeta Blic.
Madje, sipas Sadikut, kryetari Rama ka pasur sfida e sabotazhe gjatë këtij mandati.
“Mendoj se z.Rama ka pasur sfida dhe sabotazhe nga opozita dhe natyrisht edhe e partnerëve të grupit të interesit por nëse punon dhe kërkon votë do të jetë i kujdesshëm që të kërkojë votë edhe për asambleistët. Në këtë mandat opozita ka qenë më e fuqishme me numër të asambleistëve, VV dhe PDK të cilët kishin një koalicion të heshtur përbrenda tyre dhe kjo e dëmtoi shumë z.Rama në realizimin e shumë projekteve të komunës”, ka deklaruar Arbnor Sadiku./Gazeta Blic/


