Ditëve të fundit disa qytete dhe fshatra të Kosovës po përballen me mungesë të ashpër të energjisë elektrike.
Lidhur me këtë sot kanë shkruar nga Instituti GAP.
Ky institut thekson se konsumi i energjisë elektrike në Kosovë këto ditë po arrin shifra maksimale deri në 1500 MWh, që është më e larta ndonjëherë që nga paslufta.
“Për shkak të një infrastrukture energjetike të vjetërsuar dhe me kapacitet të limituar, konsumi i lartë po shkakton ngarkesë në rrjet dhe prishje të numërta në të, dhe si rrjedhojë po shkaktohen edhe reduktime. Shto këtu faktin që në këtë periudhë, nevoja për import të energjisë elektrike mbetet po ashtu e lartë”, thuhet në reagim.
GAP thekson se konsumi është veçmas më i lartë në mëngjes dhe në mbrëmje, për çka është e nevojshme që qytetarët dhe bizneset të jenë të kujdesshëm dhe të ulin konsumin e energjisë elektrike në këtë periudhë.
“Njëkohësisht, një situatë e tillë duhet të shërbejë si thirrje për institucionet gjegjëse që të monitorojnë më afër dinamikën dhe realizimin e planit të investimeve të operatorëve në fushën e energjisë konform obligimeve që kanë, të rritet financimi publik për programet e efiçiencës së energjisë, etj”, thuhet tutje.