Sporti

Gani Sejdiu: Vendim i ngutshëm, shpresoj se kanë plan B – do ketë ndikim të madh në vazhdimin e Superligës së Kosovës

10/31/2024 17:06
nga:E K

Skuadra e Superligës së Kosovës, Feronikeli ’74 është tërhequr nga garat shkaku i shumë parregullsive në referim gjatë 11-javëve të zhvilluara.

Përmes rrjeteve sociale, klubi nga Drenasi ka plasur “bombën” dhe tashmë është tërhequr zyrtarisht nga garat.

Trajneri kosovar dhe ish trajneri i Feronikelit, Gani Sejdiu ka komentuar për GazetaBlic Sport vendimin e fundit të skuadrës së Superligës së Kosovës.

“Do të ketë ndikim të madh në rrjedhën e garës në Superligën e Kosovës. Ekipet e tjera mund të ndikohen shumë nga ky vendim, dikush do të dëmtohet më shumë e dikush më pak. Pavarësisht se nuk dua të futem në specifikat e vendimit, ky vendim nuk na pëlqen si komunitet i sportit, e di që ishin në gjendje të keqe në tabelë edhe pse mendoj që duhej të mendonin pozitivisht pasi ka shumë lojë dhe me një fitore eventuale do ishin në garë për mbijetesë. Ndjej për Feronikelin shumë dhe personalisht ky vendim nuk më pëlqen aspak. Mendoj që ky vendim është marr pak me nguti, do ta dëmtoj shumë mbarëvajtjen e Superligës, por edhe vetë klubin pasi në aspektin financiar skuadra është në nivel dhe nuk ka probleme të mëdha, është dashtë që gjërat të mendohen më në perspektivë dhe mendoj që ka pasur mundësi të dilnin nga kriza e rezultateve.

Është vendim ekstrem, sepse të tërhiqen të gjitha ekipet e grupmoshave mendoj që nuk është në rregull dhe se mendoj që palët duhet të ndërmjetësojnë dhe të gjindet një pajtueshmëri, mendoj që është vendim i kthyeshëm.

Shpresoj që të kenë plan B pasi ky vendim rrezikon ekzistencën e klubit të Feronikelit, duhet të mendohet për ardhmërinë e klubit pasi klubi është mbi të gjitha”, tha Gani Sejdiu për GazetaBlic Sport.