Sporti

Gani Sejdiu kritikon lojtarët e Kosovës: Driblimet bëhen kur je duke fituar, po e mbivlerësojmë vetën

09/07/2024 17:36
nga:E K

Kosova nuk e nisi aspak mirë ciklin e Nations League duke u mposhtur në “Fadil Vokrri” nga Rumania me rezultat 0-3.

Marin, Dennis Man dhe Dragus shënuan për fitoren e mysafirëve, shkruan GazetaBlic Sport.

Pavarësisht startit të mirë, Kosova pranoi tre gola dhe ishte afër të pranonte edhe dy të tjerë, por që shtylla shpëtoi portën e Aro Muric në të dy rastet.

Në lidhje me performancën e Kosovës, ka folur trajneri kosovar, Gani Sejdiu.

Sejdiu kritikoi çasjen e krerëve të cilët sipas tij po japin deklarata optimiste, duke rritur pritshmëritë dhe presionin mbi lojtarët gjë që sipas tij po na kushton në fushë.

“Fillimi nuk është i mirë, paraqitja e ekipit nuk ishte aspak e mirë nuk diskutohet. Në 35 minutat e para isha optimist pashë një lloj sigurie, guximi dhe ambicie për të instaluar një filozofi tonën që po na mungon në gjithë këto vite, mirëpo pastaj dolën në pah problemet e vjetra. Është problem të analizohet e gjithë situata, duhet një analizë e gjatë dhe e detajuar. Gjithnjë e më shumë po vërtetohet opinioni im që kam thënë se ne po i mbivlerësojmë vetën tonë. Me gjithë këto ambicie, objektiva dhe dëshirat e tona të cilat fillimisht duhet të pyetur a janë reale apo nuk janë reale. Mbivlerësimi i lojtarëve po u jep presion atyre, presion që ndoshta nuk është i nevojshëm pasi duhet të parë realiteti se ku jemi. Kosova nuk është ekip kompakt në të gjitha repartet, këtë duhet ta pranuar“, tha fillimisht Sejdiu.

“Të gjithë sulmuesit erdhën me një formë shumë të mirë, pritshmëritë ishin të larta, ajo që ka ndikuar është se po i japim vetës epitetin e favoritit që nga fillimi prej kreut e deri poshtë. Nuk duhet ta fusim vetën në presion, t’i marrim gjërat më me realitet duke e dhënë maksimumin. Pas pranimit të golit të parë u pa nervoza te lojtarët si te Vojvoda, kur përkeqësohen gjërat dalin në shesh të gjitha të metat, shihet nervoza e të gjithë lojtarëve, pasiguria e tyre në lojë. Mendoj që po vazhdojnë të njëjtat probleme, kam pritur që me këto risi gjërat të ndryshojnë, por siç duket po ecim me mënyrën e vjetër”, shtoi Sejdiu.

“Euforia e tepërt, mbivlerësimi po na kushton. Kur e them këtë do të thotë se po shohim përtej mundësive të lojtarëve që kemi. Opinioni sportiv nuk ka faj, tifozi është tifoz ata gjithmonë presin më të mirën. Rumania nuk ka kombëtare me yje, në letër ne jemi më të mirë, por ata janë homogjen, funksionojnë si ekip. Këtu është bërë diferenca dje. Duhet të pranojmë që nuk jemi ekip për të pasur pritshmëri kaq të larta, kemi një mbrojtje dhe mesfushë jo stabile, janë reparte jo te kompletuara. Kemi mentalitet euforik, Zhegrova kur bëri driblimet publiku menjëherë reagoi, këto janë gjëra individuale, nëse këto nuk e kanë impaktin e tyre nuk janë të vlefshme. Këto gjëra bëhen në një moment të caktuar, kur je në avantazh. Ai është një lojtar i jashtëzakonshëm është në superformë, por po bëhemi shumë individualistë, na duhen rezultate ekipore dhe jo individuale. Duhet të analizohen të gjitha këto, kjo është një humbje e madhe që është e vështirë për t’u rikuperuar”, vazhdoi Sejdiu.

“Mendoj që tashmë duhet të fillojmë një epokë të re, pavarësisht asaj që kanë dhënë këta lojtarë dhe kontributin e tyre të që nuk mund të mohohet, por e pamë që me pak minuta që i pati në dispozicion edhe Albion Rrahmani edhe Ermal Krasniqi dhanë shenja të mira. Duhet të provojmë diçka tjetër, nuk duhet të frikësohemi t’i japim mundësi lojtarëve të rinj, një projekt të ri edhe me lojtarë ndoshta të Superligës ose ata që veçse kanë dal nga Superliga dhe po kalojnë në formë të mirë. Duhet të jemi me këmbë në tokë, nuk më kanë pëlqyer as çasjet e tyre pas lojës si e trajnerit ashtu edhe lojtarëve, pavarësisht rezultati duhet dalur në prononcim për t’u ballafaquar me kritika. Të gjitha këto tregojnë që shumë gjëra nuk po funksionojnë.
Presioni është një gjë shumë e rrezikshme dhe këtë e kemi krijuar të gjithë bashkë me deklarata optimiste para ndeshjeve dhe para cikleve të ndeshjeve qoftë të kualifikimeve për Europian apo Botëror”, përfundoi Sejdiu për GazetaBlic Sport.