Sporti

Gani Sejdiu i ashpër: Fajin për atmosferën jo të mirë e kanë edhe lojtarët, disa janë shumë të ‘përkëdhelur’ dhe të ‘llastuar’

11/19/2023 17:30
nga:E K

Kosova ka barazuar dje në udhëtim me Zvicrën në rezultat 1-1.

Dardanët morën një barazim dinjitoz, por që zyrtarisht shuhen gjasat për kualifikim në “Euro 2024“.

Në këtë ndeshje Kosova u paraqit pa disa nga yjet kryesor të skuadrës që munguan për arsye të ndryshme. E nga këto mungesa ylli i Lille, Edon Zhegrova bëri edhe një deklaratë publike ku shfaqi pakënaqësitë e tij me kryesinë e Federatës së Futbollit të Kosovës.

Trajneri kosovar, Gani Sejdiu ka komentuar atmosferën jo të mirë brenda grupit të Kosovës në një intervistë për “GazetaBlic Sport”.

Sejdiu deklaroi se atmosfera prej kohësh nuk ishte e mirë brenda ekipit, duke potencuar se fajet për këtë i kanë edhe disa lojtarë që sipas tij janë ‘të llastuar’ dhe ‘të përkëdhelur’ nga ‘bota e futbollit’ në Kosovë.

“Jemi dëshmitarë që edhe në të kaluarën nuk ka qenë atmosfera e mirë. Vitet e fundit ka pasur probleme brenda grupit, nuk e di pse kanë lindur ato pasi nuk kam informacione nga afër, por që nuk ka pas harmoni të mirë këtë e dijmë të gjithë. Kjo është munduar të fshehet, por prapë ato dalin. Në çdo vend ka probleme, por nëse janë grupore aty problemi është më i madh.

Faji këtu nuk është vetëm i Federatës, këtu është faji edhe i lojtarëve. Lojtarët duhet të dijnë përgjegjësinë që e kanë kur vijnë dhe përfaqësojnë kombëtaren e tyre. Teket personale duhet të lihen anash, tjetër është përfaqësimi i një ekipi e tjetër i një kombi. Lojtarët duhet të jenë më përgjegjës më të pjekur në këtë aspekt, mendoj që disa nga djemtë janë më ‘të përkëdhelur’ dhe më ‘të llastuar’ se që duhet nga mënyra se si i kemi trajtuar. Sidomos në fillim kur kanë ardhur në kombëtare natyra e tyre ka qenë në atë formë që kërkonin t’i prisnim si yje. Ke ardhur me përfaqësu kombin tënd, ‘nuk je askushi’ nuk je yll për kombëtaren, kombëtarja është yll për ty. Duhet të dallohen gjërat këto që thash kanë reflektuar që me kalimin e kohës të krijohet kjo atmosferë. Për atë arsye është koha e fundit që të evitohen këto probleme përgjithmonë, të planifikohet mirë cikli i ardhshëm i kombëtares“, tha Sejdiu.

/GazetaBlic Sport/