Sporti

Galtier i bindur se do të jetë në krye të PSG edhe për sezonin tjetër

04/21/2023 10:40
nga:Mergim Rreci

Christophe Galtier është i bindur se do të jetë trajner i PSG-së përtej këtij sezoni dhe tashmë po punon për forcimin e skuadrës.

Ish-trajneri i Nices është në rrugën e duhur për të fituar titullin e Ligue 1 në sezonin e tij të parë te PSG-ja, por skuadra pariziene u eliminua nga Champions League dhe Kupa e Francës.

56-vjeçari thuhet se po jeton një kohë të trazuar në “Parc des Princes”, me parisienët që thuhet se po kërkojnë një numër alternativash përpara sezonit 2023-24.

Mirëpo Galtier mbetet i përqendruar në fitimin e kampionatit dhe tashmë ka diskutuar objektivat e mundshme të merkatos me këshilltarin teknik, Luis Campos.

“Ne po punojmë me Luis Camposin për atë që do të jetë skuadra e sezonit të ardhshëm”, tha Galtier në konferencën për shtypin përpara përballjes me Angers.

“Kemi folur për modifikimet që duam të bëjmë për të përmirësuar ekipin, ndoshta për të pasur më shumë larmi në lojën tonë dhe për të pasur një ekuilibër më të mirë.

Ne kemi punuar për javë të tëra. Unë e shoh veten trajner i PSG-së sezonin e ardhshëm.”

Trajneri i Romës, Jose Mourinho, është emri i fundit i profilit të lartë që lidhet me stolin e PSG-së, me Galtier që duhet të shmangë vazhdimisht pyetjet në lidhje me të ardhmen e tij.

“Jam i fokusuar në punë. Kam në plan edhe për të ardhmen. Kam shumë punë për të bërë në këtë drejtim. Truri im është vazhdimisht aktiv për të qenë i fokusuar te ndeshjet e mbetura për të marrë këtë titull.”

PSG është tetë pikë përpara Marsejës së vendit të dytë me nëntë ndeshje te mbetura në kampionat, por mbetet për t’u parë nëse titulli i nëntë në 11 sezone do të qetësojë tifozët e PSG-së.