Sporti

Galliani ka një porpozim interesant: Të bëhet një Superligë e Evropës pa skuadrat angleze

08/10/2022 09:18
nga:Mergim Rreci

Adriano Galliani, Adimistratori i Deleguar i Monzës, së Silvio Berlusconit, skuadër e sapongjitur në Serinë A, ka dhënë një intervistë për gazetën “Tuttosport” në të cilën sugjeron “një Brexit në futboll” me një Superligë “pa anglezët”.

Ish-zëvendëspresidenti dhe CEO legjendar i Milanit e ka bërë këtë propozim si një “zgjidhje” për pabarazinë ekonomike që skuadrat evropiane kanë krahasuar me epërsinë monetare të klubeve të Premier League-s.

“Mund të jetë një zgjidhje, por pa anglezët. Duhet të ketë edhe një “Brexit” në futboll. Atëherë do të ishte një kampionat i vërtetë evropian, pa britanikët. Nga ana tjetër, çfarë mendoni ju, që në prill të vitit 2021 anglezët ikën nga Superliga se tifozët nuk e donin?”, tha Galliani.

Si shembull i kësaj pabarazie ekonomike, Adriano Galliani dha shembullin e tij, Monza-n, e cila do të luajë në Serinë A këtë sezon: “20 klubet në Premier League angleze fitojnë pothuajse katër herë më shumë se 20 në Serinë A. Monza merr 33 milionë euro nga të drejtat televizive, por 3 milionë duhet të shkojnë si donacion për Serinë B. Një skuadër e sapongjitur në Premier League fiton 160 milionë. Si mund të konkurroj me Nottingham Forest?”

Lidhur me të ardhmen e Monzës në Serinë A, drejtuesit veteran (78 vjeç) shpjegoi për “Tuttosport”: “Këtë vit synojmë vendin e dhjetë në renditje… Ëndrra ime e fëmijërisë u realizua: të çoja Monzën në Serinë A ishte më e vështirë se të fitoja Champions League me Milanin”.