Sporti

“Galatasaray dhe Besiktas e duan në ekip”, gazetari grek zbulon interesimin e klubeve turke për James Rodriguez

04/17/2023 17:48
nga:Lorik J

Aventura e James Rodriguez në Greqi përfundoi më shpejt se që ishte paramenduar, pavarësisht se nisi mirë, por më pas jo gjithçka shkoi siç duhet dhe tashmë klubi dhe lojtari kanë ndarë rrugët.

Rodriguez ka jetuar disa momente jo të mira në vitet e fundit në karrierën e tij dhe tashmë ka mbetur pa skuadër në muajt e fundit të këtij sezoni të futbollit, shkruan GazetaBlic Sport.

Gazetari grek, Johnny Georgopoulos ka zbuluar për ‘GazetaBlic Sport’ arsyen e largimit të James Rodriguez nga klubi i madh grek, Olympiacos.

“Olympiacos ka vendosur të shkëpusë kontratën me James Rodriguez dhe nuk aktivizuan opsionion e vazhdimit të kontratës edhe për një vit. Arsyeja është se James Rodriguez në tri muajt e fundit ishte totalisht jashtë, shkaku i lëndimeve”, tha fillimisht gazetari i njohur grek, Georgopoulos.

Georgopoulos ka zbuluar se James nuk kishte shumë ndikim tek klubi dhe merrte shumë para të cilat sipas gazetarit nuk i justifikoi, gjë që edhe çoi në largimin e tij nga klubi grek.

“Rodriguez ka luajtur 17 ndeshje, ku shënoi 5 gola dhe bëri 5 asistime, në disa ndeshje kishte shumë ndikim dhe luante mirë, por kjo ndodhi në pjesën e parë të sezonit. Olympiacos në nëntor vendosi të zgjasë kontratën me lojtarin, por pas pushimit të Kupës së Botës, performanca e tij ishte shumë e ulët dhe luajti pak, siç e thashë më parë. Kishte disa dëmtime të vogla dhe ishte jashtë fushave, nuk mund të luante. Nuk e dimë saktë se çfarë lëndime kishte, sepse klubi nuk tregonte saktë, ndoshta kishte lëndime muskulare, ai ishte gjithmonë i dëmtuar pasi rikthej nga Kolumbia”, vazhdoi gazetari grek i SDNA.gr ,Johnny Georgopolus.

“Ai fitonte 3.5 milionë euro për një vit, shumë para dhe nuk luante. Këto arsye ndikuan që Olympiacos të mos e vazhdonte kontratën, por edhe me sa di unë poashtu lojtari donte largimin, pasi u largua edhe Marcelo, shoku i tij i ngushtë”

Në fund ai zbuloi se për James Rodriguez ka garë mes klubeve turke Galatasaray e Besiktas si dhe ekipit brazilian, Fluminense.

“Nuk mund të themi se ishte edhe dështim, nuk ishte si më parë – por edhe me këtë formë – ai bënte dallimin me golat dhe asistimet fantastike. Si lojtar kishte shumë ulje dhe ngritje dhe dëmtime. Nuk i justifikoi paratë që mori në Olympiacos. E ardhmja e tij mund të jetë në Turqi, ka interesim nga Besiktas dhe Galatasaray. Ai ka kohë të mendojë për të ardhmen. Ai poashtu ka gjasa të shkojë në Fluminense, pasi atje e do edhe Marcelo dhe klubi ka paratë për ta transferuar”, përfundoi gazetari i njohur ndërkombëtarisht, Johnny Georgopoulos.

/GazetaBlic Sport