Sporti

Gaboi ndaj Sociedadit, por Real Madrid vazhdon t’i besojë Huijsen

02/15/2026 10:35
nga:G B

Në fitoren 4-1 të Real Madrid ndaj Real Sociedad, shumica e lojtarëve shkëlqyen, por një nga emrat që doli jashtë ritmit ishte Dean Huijsen.

Mbrojtësi i ri, i aktivizuar në qendër të repartit defensiv, shkaktoi një penallti me një ndërhyrje të pamatur, duke i dhënë mundësi kundërshtarit të barazonte përkohësisht rezultatin. Megjithatë, paraqitja e fuqishme në sulm bëri që madrilenët ta mbyllnin sfidën me fitore bindëse.

Sipas raportimeve, klubi mbretëror vazhdon të ketë besim të plotë te Huijsen dhe nuk ka plane për të ndryshuar projektin afatgjatë rreth tij. Edhe pse ekzistojnë disa pikëpyetje për çmimin e transferimit, drejtuesit janë të bindur për potencialin e madh të lojtarit.

Në Madrid e konsiderojnë 20-vjeçarin si një investim për të ardhmen, duke besuar se ai do të rritet dhe do të bëhet pjesë kyçe e mbrojtjes në vitet në vijim. Për më tepër, rikthimi i pritur i Antonio Rüdiger dhe përmirësimi gradual i gjendjes së Éder Militão pritet të shtojnë stabilitetin në repartin defensiv.

Huijsen do të ketë mundësinë për t’u rikthyer menjëherë në skenë, pasi “Los Blancos” përballen të martën me SL Benfica në Ligën e Kampionëve, në një sfidë me peshë të madhe për sezonin.