Lajme

G7 paralajmëron Rusinë kundër përdorimit të trupave koreanoveriore në Ukrainë

11/05/2024 15:23
nga:G B

Ministrat e Jashtëm të Grupit të Shteteve më të industrializuara (G7) dhe tre aleatë kyçë të grupit thanë se janë thellësisht të shqetësuar me dislokimin e trupave të Koresë së Veriut në Rusisë dhe mundësisë që ato të përdoren në luftën e Moskës kundër Ukrainës.

“Mbështetja e drejtpërdrejtë e Koresë së Veriut për luftën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, përveç që shfaq përpjekjet e dëshpëruara të Rusisë për të kompensuar humbjet e saj, po ashtu paraqet një zgjerim të rrezikshëm të konfliktit”, u tha në deklaratën e ministrave.

Përveç anëtarëve të G7-ës – Shteteve të Bashkuara, Japonisë, Italisë, Britanisë, Gjermanisë, Francës dhe Kanadasë – deklarata u nënshkrua edhe nga Koreja e Jugut, Australia dhe Zelanda e Re.

Ministrat po ashtu thanë se dënojnë “fuqishëm” rritjen e bashkëpunimit ushtarak mes Koresë së Veriut dhe Rusisë, përfshirë edhe “blerjen e paligjshme” të raketave balistike koreanoveriore nga Rusia.

Ata thanë po ashtu se janë të shqetësuar lidhur me mundësinë e ndonjë dërgese të teknologjisë së lartë që mund të lidhet me armë bërthamore apo raketa balistike në Korenë e Veriut, duke shtuar se do të punojnë me partnerët ndërkombëtarë “për një përgjigje të koordinuar” nëse një gjë e tillë do të ndodhte.

Shtetet e Bashkuara, NATO-ja, Koreja e Jugut dhe Ukraina kanë konfirmuar se mijëra trupa të Koresë së Veriut janë dislokuar në Rusi, ndërkaq Uashingtoni ka thënë se ka gjasa që ushtarët të dislokohen në fushëbetejë në Ukrainë brenda ditësh.

Koreja e Veriut dhe Rusia nuk kanë komentuar për dislokimin e ushtarëve. Por, Pheniani ka deklaruar se mbështesë Rusinë derisa të triumfojë në Ukrainë./REL