Udhëheqësit e G7-ës po kërkojnë të gjejnë urgjentisht mënyra alternative për të eksportuar grurë nga Ukrainë, tha Ministrja e Jashtme gjermane Analena Berbok, pasi lufta ka rritur rrezikun e një krize globale ushqimore.
Duke folur në fund të një takimi tre-ditor të ministrave të jashtëm të G7 në Gjermani, Berbock tha se rreth 25 milionë tonë drithë janë bllokuar në portet e Ukrainës për shkak të kufizimeve të vendosura nga forcat ruse.
“Çdo ton që mund të marrim do të ndihmojë pak për të trajtuar këtë krizë urie,” tha ministrja.
Ministrat e Jashtëm paralajmërojnë rrezikun e një krize globale ushqimore, veçanërisht në Afrikë dhe Lindjen e Mesme.
Rreth 43 milionë njerëz janë vetëm një hap larg urisë, thonë ata, duke i bërë thirrje Rusisë t’i japë fund bllokadës së eksporteve të grurit ukrainas .
Gjithashtu liderët e G7-ës theksojnë nevojën që të mos krijohet një situatë e cila nuk do të lejojë ofrimin e ndihmës nga organizatat humanitare, për shkak të rritjes së kostove.
“Lufta e paprovokuar e Rusisë në Ukrainë ka përkeqësuar perspektivën ekonomike globale me rritjen e çmimeve të ushqimit, karburantit dhe energjisë”, thuhet në deklaratën e udhëheqësve të G7-ës.
Çmimet e grurit kanë shkuar në qiell javët e fundit dhe shqetësimet në komunitetin global po rriten ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon.
Departamenti Amerikan i Bujqësisë ka parashikuar që vitin e ardhshëm furnizimet globale do të reduktohen për herë të parë në katër vjet.
Frika u rrit pasi India njoftoi se nuk do të eksportonte më grurë nga frika se do t’i duhej të mbronte nevojat e brendshme të vendit. Ky zhvillim po çon në rritje të çmimeve me problemin më të madh me të cilin përballen vendet e varfra që mbështeten në importet indiane të drithërave. Qeveria në Nju Delhi tha se ndalimi ishte krijuar për të “menaxhuar sigurinë e përgjithshme ushqimore të vendit”.
Çështja e ushqimit u shfaq si një nga çështjet kryesore në diskutimet e ministrave të G7 në fundjavë.
Deklarata e tyre e fundit tha se lufta e Rusisë “krijoi një nga krizat më serioze të ushqimit dhe energjisë në historinë e fundit, duke kërcënuar tani më të cenuarit në botë”.
Baerbock tha se mënyra më e lehtë për të zgjidhur krizën ushqimore do të ishte që Rusia të pezullonte operacionet e saj ushtarake dhe të lejonte drithin të largohej nga portet e Ukrainës, një veprim që do të ndihmonte “normalizimin e çmimeve botërore të ushqimit”.
Megjithatë, ai vuri në dukje se presidenti rus nuk duket se dëshiron të tërhiqet për këtë çështje.