Futsalli në Kosovë është një sport interesimi për të cilin po rritet dita ditës.
Sporti i futsallit është një verzion i minimizuar i futbollit që luhet në palestër me dy ekipe me nga 5 lojtarë në fushë, shkruan GazetaBlic Sport.
Një nga klubet më të suksesshme në këtë sport në Kosovë është ‘FC Mabetex Prishtina‘.
Klubi nga Prishtina është shpallur kampion vjeshtor i Kosovës në futsall dhe ka pasur një arritje të madhe duke luajtur në Champions League në mesin e 32 ekipeve më të mira të Evropës.
Për të folur rreth sukseseve të vitit 2021 në klubin ‘FC Mabetex Prishtina‘, GazetaBlic Sport ka kontaktuar me presidentin e këtij klubi, Fatos Dili si dhe menaxherin e klubit, Durim Dili.
Presidenti, Fatos Dili vitin 2021 për futsallin e ka konsideruar sfidues për shkak të pandemisë globale me koronavirus me të cilin po ballafaqohet edhe Kosova.
“Viti 2021, ka qenë sfidues për futsallin duke ditur që ne zhvillojmë aktivitetin ne palestra dhe masat anti-COVID kanë pamundësuar praninë e spektatorëve“, tha fillimisht Fatos Dili.
Edhe menaxheri i Prishtinës, Durim Dili, ka pranuar që viti 2021 ka qenë i vështirë për klubin dhe futsallin për shkak të koronavirusit dhe masave anti-COVID.
“Si në çdo klub edhe tek ne ka ndikuar paksa situata me COVID-19. Ka pasur anulim të lojëve, disa muaj pushim dhe mos stërvitje, por përsëri ja dolëm dhe tash jemi mirë si klub”, tha Durim Dili.
Megjithatë, sipas presidenti, Fatos Dili, funksionimi i klubit të Prishtinës nuk është afektuar nga situata pandemiologjike.
“Funksionimi i klubit tonë është mjaftë i mirë edhe në kohë pandemie ne nuk kemi patur probleme së funksionuari, pasi që kemi një gjigant i cili na përkrahë dhe ai është Mabetex Group”, ka vazhduar Fatos Dili.
Interesimi për të ndjekur ndeshjet e futsallit në Kosovë po rritet vit pas viti deklaron Durim Dili.
“Interesimi për futsallin është në rritje vit pas viti, ka shumë shikues që vijnë dhe shohin futsall”, ka vazhduar Durim Dili.

Viti 2021 për Prishtinën ishte një vit u suksesshëm pasiqë Prishtina përveç se u shpall kampion vjeshtor, ka arritur të përfaqësohet në Evropë, në garën e UEFA Champions League.
“Viti 2021 për Klubin e Prishtinës është ai që do të mbahen në mend pasi që kemi zhvilluar ndeshje në UEFA Champions League në 32 ekipet më të mira në Evropë duke udhëtuar në Spanjë për t’u ndeshur me klubin katalunas FC Barcelona”, shtoi presidenti, Fatos Dili.

“Përvoja ime në klubin e Prishtinës për vitin 2021 ka qenë shumë e mirë dhe e paharruar, sepse u shpallem kampion në vitin 2020 dhe pastaj kemi marrur pjesë në garën e Ligës së Kampionëve ku jemi ndeshur në rrethin e parë me Tiranën në Prishtinë në Nëntor të vitit 2020, dhe në janar në rrethin e dytë me Barcelonën ne Spanjë ku ishe nje ndenjë shumë e veçantë për neve si klub”, shtoi, Durim Dili.
Për fund presidenti i ‘FC Mabetex Prishtina‘, Fatos Dili dhe menaxheri i klubit, Durim Dili u bënë thirrje të rinjëve që të merren më shumë me futsallin, pasiqë është sport në rritje me perspektiv dhe mjaftë atraktiv për shikuesit.
“Të rinjët duhet t’i kthejnë sytë nga futsalli pasi që është perspektiv, sepse klubet kanë filluar të organizohen – mirëpo duhet përkrahje edhe më e madhe nga FFK për futsallin”, përfundoi Fatos Dili.
“Mesazhi për të rinjtë në Kosovë sidomos në Prishtinë është që të merren me futsall, sepse është një sport në rritje dhe mjaft atraktiv“, përfundoi Durim Dili.

/GazetaBlic Sport/


