Sporti

Futbollisti i Vikingur, Oliver Ekroth: Malisheva ka lojtarë të shpejtë, nuk ishte e lehtë ndaj tyre, por jemi super të kënaqur me fitoren

07/10/2025 23:20
nga:Lorik J

Qendër-mbrojtësi i Vikingur Reykjavik dhe kapiteni i ekipit, Oliver Ekroth ka vlerësuar maksimalisht Malishevën pas duelit, teksa potencoi se fitorja është tejet e mirëseardhur për ta si ekip.

Vikingur triumfoi me rezultatin 0-1 në stadiumin “Fadil Vokrri”, në ndeshjen e raundit të parë të kualifikimeve të Conference League.

Në një prononcim ekskluziv për ‘GazetaBlic Sport’, Oliver Ekroth tha se nuk kishin shumë informacione për Malishevën, por janë të lumtur që triumfuan si mysafir, pasi do jetë më e lehtë ndeshja e kthimit, të paktën në letër.

“Nuk kishim shumë informacione për Malishevën, është gjithmonë e vështirë të udhëtosh dhe të luash si mysafir, erdhëm këtu për të luajtur siç jemi stërvitur, ta mbajmë topin dhe të marrim një rezultat të mirë para duelit në Islandë. Jemi shumë të lumtur me rezultatin dhe kjo ka rëndësi në këtë kompeticion”, tha fillimisht Ekroth për ‘GazetaBlic Sport’.

“Ishte e vështirë të luash ndaj tyre, Malisheva ka lojtarë anësorë të shpejtë dhe sulmues të rrezikshëm, nuk është e lehtë të luash ndaj skuadrave që nuk i njeh. Stafi ynë ka bërë punë fantastike për t’i analizuar. Ishte e vështirë të luash në këtë fushë, sepse në Islandë nuk kemi fusha të tilla (i referohet fushave natyrale)”, vazhdoi ai.

“Do jetë më e lehtë në ndeshjen e kthimit, sepse tani i njohim më mirë”, përfundoi ai.

/GazetaBlic Sport