Sporti

Futbollistët e Italisë do ta nderojnë sonte legjendën Vialli

03/23/2023 14:31
nga:Mergim Rreci

Skuadra italiane rikthehet në fushë këtë të enjte, duke nisur të mbrojë titullin e Euro-2020.

Do të jetë ndeshja e parë pa Gianluca Viallin përkrah Roberto Mancinit, i cili vdiq në fillim të janarit pas kancerit në pankreas, përcjell GazetaBlic Sport.

“Kam biseduar me lojtarët, për ne do të jetë e rëndësishme ta kujtojmë atë. Është një emocion i madh, do të jetë ndeshja e parë pa ‘Lucën’. Kam pasur shumë fat: fillimisht e kam pasur partner në fushë, më pas për të punuar bashkë. Anglezët ishin me fat që e panë të luante në Londër. E dimë që njerëz si ai janë të pavdekshëm, ai do të jetë gjithmonë me ne”, tha Mancini në prag të lojës.

Lojtarët do të mbajnë një mesazh që e kujton Viallit në brezin e pasmë të fanellës – ‘Luca, Azzurro përgjithmonë’, në stadiumin Diego Maradona, në Napoli.

/GazetaBlic Sport/