Një lajm i trishtë ka goditur futbollin italian dhe klubin e Fiorentinës. Presidenti i klubit viola, Rocco Commisso, ka ndërruar jetë në moshën 76-vjeçare.
Lajmi u bë i ditur nga vetë shoqëria përmes një njoftimi zyrtar të publikuar në faqen e saj, ku theksohet se Commisso u nda nga jeta pas një periudhe të gjatë trajtimesh mjekësore.
I lindur në Marina di Gioiosa Ionica, në provincën e Reggio Calabria, Commisso u transferua në Shtetet e Bashkuara që në moshë të re për t’u ribashkuar me familjen. I apasionuar pas futbollit që në rini, ai hyri në botën e sportit duke blerë shumicën e aksioneve të New York Cosmos në vitin 2017, ndërsa më 6 qershor 2019 u bë zyrtarisht pronar i Fiorentinës.
Gjatë drejtimit të tij, Fiorentina përjetoi një periudhë të rëndësishme rritjeje, duke arritur dy finale të Conference League dhe një finale të Kupës së Italisë. Një nga trashëgimitë më të mëdha të tij mbetet ndërtimi i “Rocco B. Commisso Viola Park”, qendra moderne sportive e klubit.
Klubi dhe familja e tij e përshkruajnë Commisso-n si një njeri me empati të jashtëzakonshme, të lidhur fort me qytetin e Firences dhe tifozët viola.
/A2/

