Drejtori i Sigurisë dhe Emergjencës së komunës së Prishtinës Lulzim Fushtica, thotë se interesimi për strehim të qenëve endacak është i madh, raporton GazetaBlic.
Në një intervistë për GazetaBlic, Fushtica ka folur për strehimin e qenëve endacak, ku interesimi nga qytetarët është rritur. Ai tregoi se komuna e Prishtinës është në fazën e parë të pregatitjes së kontratës, ku janë duke u konsultuar me të gjitha palët e interesimit, dhe se do të jenë të gatshme këtë javë.
“Pas vendimit interesimi është i madh, ne e kemi bërë edhe listën e pritjes, ku qytetarët vijnë interesohen dhe lënë të dhënat e tyre. Për fillimin e adoptimit ne jemi në fazën e parë të pregatitjes së kontratës, dhe si të tillë jemi duke u konsultuar me të gjitha palët e interesit, dhe kontratat do të jenë të gatshme këtë javë“, tha ai për Gazeta Blic.
Fushtica thotë se kontrollat do të bëhen nga institucionet e komunës dhe nga shoqatat për mbrojtje të kafshëve, sipas kontratës që do t’a nënshkruajnë me palët dhe se do të vendosin masat e sigurisë.
“Qentë e strehuar do t’i kontrollojmë në bazë të kontratës që do ta nënshkruajnë me palët, që do ta marrin qenin në adoptim, do ti vejm masat e sigurisë dhe do të kontrollohen nga institucionet e komunës, dhe nga shoqatat për mbrojtjen e kafshëve që do të jenë partnerët tanë në këtë proces. Kur të filloj procesi i adoptimit atëherë ne do ti marrim të gjitha këto masa dhe do ta bëjmë kontrollin të them strik të implementimit dhe të marrëveshjes që do ta kem me adoptuesit”, tha ai.
Ai shtoi se pas përfundimit të kontratës do të fillojë implementimi i saj dhe do të fillojnë kontrollat se si janë duke u trajtuar kafshët që do ti marrin në adoptim.
“Shpresojmë që kontratën ta përfundojmë brenda kësaj jave dhe shpresojmë që në afatin sa më të shkurt kohor të fillojë në procesin e adoptimit dhe poashtu kur të fillojë procesi i adoptimit atëherë do të fillojë edhe implementimi i kësaj kontrate dhe normal që do të fillojmë edhe me kontrollat se si kafshët janë duke u trajtuar që do ti marrin në adoptim”.
Fushtica transmetoi se qenët endacak do të vendosen në strehimore dhe licensimi do të bëhet nga AVUK.
“Vendosja e qenëve do të bëhet në strehimore të cilat do të licensohen nga Agjencioni Veterinarisë dhe i Ushqimit të Kosovës. Pra ne në atë moment kur të licensohet strehimorja, atëherë do të vendosen qentë aty dhe qytetarët do të mund të shkojnë dhe të fillojnë procesin e adoptimit“, tha ai për GazetaBlic.


