Lajme

Fushata zgjedhore, një delegacion Parlamentar i KiE-së viziton Kosovën

01/14/2025 07:12
nga:Y I

Një delegacion prej tre anëtarësh i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE- APKE), e udhëhequr nga Petra Bayr (Austri) do të bëjë një vizitë në Kosovë më 16-17 janar për të vlerësuar fushatën zgjedhore dhe politike dhe klimën para zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës më 9 shkurt.

Në Prishtinë, delegacioni do të takohet me presidenten e Kosovës, kryeministrin dhe kryetarin e Kuvendit, si dhe me krerët dhe përfaqësuesit e grupeve kryesore politike të Kuvendit.

“Janë paraparë takime edhe me delegacionin e Kuvendit të Kosovës në (PACE- APKE), me kryesuesin dhe anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me kryesuesin e misionit të BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve, me anëtarë të bashkësisë ndërkombëtare, si dhe me përfaqësues të bashkësisë diplomatike, shoqëria civile dhe media.

“Delegacioni pritet të lëshojë një deklaratë në fund të vizitës. Një delegacion i plotë prej 20 anëtarësh do të udhëtojë në Kosovë për të vëzhguar zgjedhjet e 9 shkurtit”, thuhet në komunikatën Asamblesë Parlamentare e Këshillit të Evropës (PACE).