Lajme

Fushata për Zgjedhjet Lokale nis më 13 shtator – Tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike do të mbahet javën e ardhshme

08/28/2025 09:14
nga:Sh R

Tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimet për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, pritet që të bëhet javën e ardhshme.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, në një prononcim për GazetaBlic, thotë se ky proces do të mbahet më 3 ose 4 shtator 2025, sipas planifikimit të institucionit.

Ai shton se ky aktivitet do të zhvillohet në mënyrë të plotë transparente dhe në praninë e përfaqësuesve të subjekteve politike të certifikuara.

“Sipas planit të KQZ-së, tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimet për Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale do të bëhet më 3 ose 4 shtator 2025. Për ditën dhe orën e saktë, do të njoftojmë me kohë. Ky aktivitet do të zhvillohet në transparencë të plotë dhe në prezencë të përfaqësuesve të subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në këto zgjedhje”, tha ai.

Tutje, Elezi shton se periudha e fushatës zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët për zgjedhjet lokale do të fillojë me 13 shtator dhe do të përfundoj më 12 tetor.

“Periudha e fushatës zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët për Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale do të fillojë më 13 shtator dhe do të përfundojë më 12 tetor, në orën 06:59”, përfundoi Elezi për GazetaBlic.