Sporti

“Fusha në gjendje të shëmtuar” | Rumania dhe Kosova ankohen për gjendjen në stadium para ndeshjes

06/16/2023 14:39
nga:Mergim Rreci

Kombëtarja e Kosovës sonte do të luajë ndaj Rumanisë me fillim nga ora 20:45, në kuadër të kualifikimeve për kampionatin evropian, Euro2024.

Moti në Kosovë në ditët e fundit nuk është aspak i mirë dhe shiu ka ndikuar që fusha të mos jetë në gjendje perfekte, siç është pothujase gjithmonë kur kombëtarja luan në stadiumin Fadil Vokrri në kryeqytet.

Sipas mediave rumune, dy kombëtaret, si Kosova, ashtu edhe Rumania janë ankuar dje për gjendjen jo të mirë të fushës.

Sipas mediumit, GPS.ro, stërvitja e Rumanisë mbrëmë u shtye për 15 minuta, shkaku i shiut të madh që ishte në ato momente.

Sipas mediumit në fjalë, gjendja e fushës mbrëmë ishte aspak e mirë dhe se topi nuk mund të ecte mirë në stërvitjet e rumunëve.

“Po ankohen edhe nga Kosova. Edhe në stërvitje ata u ankuan. Fatkeqësisht, me shiun, kjo gjendje e shëmtuar, përforcohet. Parashikimi tregon shi edhe nesër, është një pengesë për ne. Djemtë janë në rregull, le të shohim tani”, ka thënë mbrëmë, Mihai Stoichiță, drejtor i Komisionit Teknik të FRF-së, për Digi Sport.