Sporti

Fundjavë interesante në elitën e basketbollit kosovar

12/28/2024 11:50
nga:Mergim Rreci

Superliga e Kosovës në basketboll, vjen sot me dy ndeshjet e para të javës së 14-të, të fundit për vitin 2024.

Sfida hapëse është ndërmjet Bashkimit dhe Pejës, dy skuadra me traditë në basketbollin e Kosovës. Prizrenasit janë në vendin e dytë me nëntë fitore e katër humbje, ndërsa pejanët në vendin e tretë me shtatë fitore e gjashtë humbje, andaj pritet një përballje mjaft interesante në Prizren.

Takimi i dytë i së sotëm është mes Trepçës dhe Borës, që zhvillohet në palestrën ‘1 Tetori’. Kampionët janë në vendin e parë me dhjetë fitore e tri humbje, kurse prishtinasit kanë pasur ngritje të formës, ku tashmë janë në vendin e shtatë me katër fitore e dhjetë humbje.

Ndërkaq, të dielën luhen dy ndeshjet e fundit të xhiros së 14-të.

Sfidë shumë interesante pritet ndërmjet Vëllaznimit dhe Sigal Prishtinës, të dielën në Gjakovë. Të dy skuadrat kanë nga gjashtë fitore e shtatë humbje, duke bërë që të presim një përballje mjaft interesante.

Ndeshja e fundit e kësaj xhiro dhe e fundit për këtë vit është ndërmjet Proton Cable Prizrenit dhe Golden Eagle Yllit. Prizrenasit kanë tri fitore e 11 humbje, ndërsa therandasit shtatë fitore e gjashtë humbje.

Superliga-Java 14

E shtunë

17:00 Bashkimi – Peja

19:00 Trepça – Bora

E diel

17:00 Vëllaznimi – Sigal Prishtina

19:00 Proton Cabel Prizreni – Golden Eagle Ylli