Marash Kumbulla ka qenë në luftë me kohën për t’u bërë gati për Euro 2024. Mbrojtësi pësoi një dëmtim të rëndë vitin e kaluar dhe qëndroi për rreth 10 muaj jashtë fushave të lojës, duke filluar të luante rregullisht vetëm në javët e fundit të Serisë A.
Por trajneri Sylvinho vendosi në fund të grumbullonte lojtarin dhe ai ka shprehur gjithë lumturinë e tij me një postim në rrjete sociale.
“Krenaria që ndiej tani është e vështirë të shpjegohet. Të luaj në këtë kompeticion duke përfaqësuar vendin tim është një ëndërr dhe më në fund do ta bëj realitet!
Do të jetë një turne shumë i vështirë, por jam i sigurt se si skuadër do të japim gjithmonë maksimumin për t’i bërë njerëzit tanë të gëzohen dhe t’ju bëjnë krenarë! Forca Shqipëri!”, shkruante Kumbulla në mesazhin e tij për tifozët.