Kryetarja e Komisionit për AKI, Ganimete Musliu, ka thënë se AKI nuk është treguar inteligjente lidhur me ftesën e Speciales për Burim Ramadanin, raporton Gazeta Blic.
Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se AKI çuditërisht lëshoi edhe komunikatë zyrtare lidhur me një ftesë për Ramadanin, rast që siç njoftoi nuk ndërlidhet asgjë me institucionin.
Musliu ka shtuar se kjo e dëmton vetë institucionin dhe se si kryetare e Komisionit për mbikëqyrjen e AKI-së, do të kërkojë zyrtarisht përgjegjësi për rrëshqitjen e këtij institucioni në këtë rast.
Postimi i saj i plotë:
Agjencia e Kosovës për Inteligjencë nuk u tregua aspak inteligjente lidhur me ftesën e Gjykatës Speciale që i ka ardhur Burim Ramadanit për kohën e tij të adoleshencës dhe jo për punën e tij si Inspektor i Përgjithshëm i AKI-së.
Ky institucion që fshehtësinë e ka punë të përditshme, çuditërisht lëshoi edhe komunikatë zyrtare lidhur me një ftesë për Ramadanin, rast që siç njoftoi nuk ndërlidhet asgjë me institucionin.
Shfrytëzimi i AKI-së nga Ramadani për të tërhequr vëmendje publike në emër të saj e dëmton më së shumti vetë këtë institucion, ku me përkushtim dhe integritet të lartë shërbejnë shumë vajza dhe djem që e duan Kosovën pa politikë, pa hile dhe pa rezerva.
Si Kryetare e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së do të kërkoj zyrtarisht përgjegjësi për rrëshqitjen e këtij institucioni në këtë rast, ku nga Ramadani thjesht është kërkuar “të ofrojë detaje në lidhje me lokacionin e tij fizik dhe gjeografik gjatë kohës se luftës dhe të ofrojë dokumentacion përfshirë këtu edhe fotografi dhe të dhëna tjera nga periudha nga 1 janar 1998 deri 31 dhjetor 2000”.
AKI-ja nuk është në shërbim të individëve, por në shërbim të shtetit dhe sigurisë së qytetarëve tanë.


