Federata Sindikale e Shëndetësisë ka dalë me ‘ultimatum’ e fundit për Qeverinë Kurti nëse nuk respektohen kërkesat e tyre.
Kryetari i kësaj Sindikate, Blerim Syla, ka thënë për “Gazeta Blic” se në Këshillin Drejtues të kësaj Sindikate kanë vendosur që deri me datën 15 të realizojnë një takim me kryeministrin Kurti për t’i shpalosur kërksat e tyre.
Syla ka paralajmëruar se nëse ky takim nuk ndodh atëherë kjo Sindikatë do të futet në grevë e cila ka për të qenë shumë e vështirë.
“Ne në Këshillin Drejtues kemi vendos që deri me datën 15 të kemi një takim me kryeministrin Kurti. Deri me 15 e ka kohën e fundit kur duhet me u prononcu, kjo nuk është ultimatum, por është kërkesë ngaqë me datën 22 do të miratohet projekt-buxheti. Nëse deri me këtë datë nuk kemi ndonjë shenjë apo ftesë nga ana e Qeverisë, Federata Sindikale e Shëndetësisë do të mblidhet dhe futet në grevë e cila ka me qenë shumë e vështirë” tha Syla për “Gazeta Blic”.
‘Ulimatum’ qeverisë Kurti i ka dhënë edhe Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat dhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit.
Kryetari i Sindiaktës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka thënë për “Gazeta Blic’ se Qeveria nuk është e gatshme ti marrë parasysh kërkesat e tyre.
Azemi tutje ka theksuar se protesta nuk do të jetë më mjet i tyre për të realizaur kërksat e punëtorëv , duke paralajmëruar kështu greva.
“Ne nuk jemi të gatshëm për protesta. Ne nuk i kemi shtjerr rrugët për dialog, por pala tjetër, Qeveria e Kosovës duket se nuk është e gatshme të merret me kërkesat tona”, tha Azemi për Gazeta Blic.
Ai tha se përkundër që “na kushton hyrja në greva, por ne jemi në presion nga punëtorët dhe do të shtyjmë përpara kërkesat e tyre”.
Një tërheqje të lehtë tashmë ka bërë Sindikata e Bashkuar e Arsimit, SBASHK, nga kërkesat e tyre.
Kryetari i SBASHK, Rrahman Jasharaj, ka thënë se nga bisedimet me Ministrin Xhelal Sveçla dhe ministren Arbërie Nagavci, janë marrë vesh që kërkesat e tyre të realizohen me përpikmëri në Ligjin për Pagat.
Por Jasharaj thotë se nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen deri në mars, atëherë do të ketë veprime sindikale.
“Ne kemi qenë dhe jemi për dialog me Qeverinë. Po e them nga takimet dhe bisedat që kemi pasur, shpresoj shumë që Ligji i ri i pagave do të kryhet deri në fund të marsit. Por, në rast se kjo nuk do të ndodh, atëherë Këshilli Drejtues i SBASHK-ut do të mblidhet për veprime sindikale që do të dalin nga kjo mbledhje e Këshillit Drejtues”, tha Jasharaj për “Gazeta Blic”.
Kryeministri Kurti deklaroi ditë më parë se duhet të ketë ndryshime tek drejtuesit e Sindikatave në Kosovë.
Ai ka uruar që të ketë ndryshime të tilla siç ka ndodhur edhe në sferën politike.
“Uroj që ndryshime të ketë gjithandej, siç po bëhen ndryshimet në politikë, duhet të ketë ndryshime edhe në çdo sferë të jetës shoqërore dhe profesionale”, deklaroi Kurti dy ditë më parë.
/Gazeta Blic/
Ligji i Pagave – Kurti uron të ndryshohen drejtuesit e sindikatave