Në komunën e Skenderajt, gjendja nga të reshurat raportohet të jetë e rëndë.
Kështu është shprehur për Info Magazine në Klan Kosova, zëdhënësi i kësaj komune, Amir Lushtaku.
“Në Skenderaj, gjendja është pothuajse alarmante. Në orët e mbrëmjes, vërshimet kanë përfshirë të gjitha zonat nga lëviz lumi Klina, duke filluar nga fshati Kuçicë, Klinë e Epërme, Klinë të Mesme, Klinë të Poshtme, e zona tjera. Për momentin, gjendja është shumë e vështirë, dhe lumi Klina pothuajse ka dalë nga shtrati”, deklaroi Lushtaku.
Ai tha se disa familje tashmë janë prekur, dhe shtoi se me zjarrfikësit, ekipet emergjente, me policinë e Kosovës kanë tërhequr disa familje.
“Deri tash janë dhjetëra familje të janë evakuuar dhe rreziku ekziston skaj lumit Klina. Rreziku vazhdon të jetë i madh, por jemi të mobilizuar”, u shpreh ai, teksa shtoi se kanë nevojë për ndihmë nga institucionet tjera shtetërore.
“I kemi dërguar shkresë AME-së dhe FSK-së. Jemi duke pritur përgjigjen e tyre”, tha ai.


