Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, gjatë vizitës së tij sot në Kosovë, bëri të ditur se qasja e Aleancës Veri-Atlantike ndaj Forcës së Sigurisë së Kosovës nuk ka ndryshuar.
Ai tha se mandati është që të sigurohen që FSK-ja të jetë efektive në rolin e vet humanitar në Kosovë.
“Mandati është që të sigurohemi që FSK-ja të jetë efektive në rolin e vet humanitar këtu në Kosovë. Kështu është mandati saktësisht i NATO-s për ta ndihmuar FSK-në që të jetë më e mirë si forcë humanitare kur ka fatkeqësi të tilla natyrore ose njerëzore”, deklaroi Rutte.
Lidhur me këtë, ish koloneli i FSK-së, Afrim Veseli, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se sekretari i NATO-s ka pasur qëndrim të tillë, pasi që ka vende brenda NATO-s që nuk e kanë njohur Kosovën.
“Është e kuptueshme qe sekretari ka qëndrim te tillë për FSK-në me misionin e para 2018-ës, pasi disa vende anëtare ende as qe e kanë njohur Kosovën. Por, shumë vende të NATO-s, ato janë duke e mbështetur FSK-në si ushtri. Pra edhe me armatime e edhe me trajnime ushtarake”, tha ai.
Sipas Veselit, edhe vetë sekretari i NATO-s e di se FSK ka mision ushtarak.
“Thjeshtë si deklarim politik që aspak nuk afekton në zhvillimin e FSK-së. Edhe ai dhe te tjerët e dinë se FSK ka mision ushtarak”, vlerësoi Afrim Veseli për Gazeta Blic.
Ndërsa, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, thotë për Gazeta Blic se këto deklarata pasqyrojnë qëndrimin e vazhdueshëm për mandatin e FSK-së.
“Deklaratat e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, lidhur me Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), pasqyrojnë një qëndrim të vazhdueshëm të Aleancës për rolin dhe mandatin e kësaj force sipas pikëpamjeve bazuar në mandatin që ka KFOR në Kosovë”, u shpreh ai.
“Me këtë deklaratë sekretari i NATO-s nënvizon rëndësinë e respektimit të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe NATO-s për të ruajtur stabilitetin dhe sigurinë në rajon”, ka shtuar eksperti i sigurisë për Gazeta Blic.
Sipas Shalës, përkufizimi i FSK-së si forcë humanitare tregon qëndrimin neutral të NATO-s ndaj Kosovës.
“Përkufizimi i FSK-së si një forcë “humanitare” reflekton nga qëndrimi neutral që ka NATO për Kosovën dhe e cila është në përpjekjet për të zhvilluar kapacitete në përputhje me standardet ndërkombëtare. Kjo qasje synon të sigurojë që FSK-ja të veprojë në mënyrë profesionale dhe gjithëpërfshirëse, duke kontribuar në paqen dhe sigurinë e Kosovës”, ka vlerësuar ai.
Shala thotë se pas përfundimit të planit të FSK-së në vitin 2028, do të ketë situatë ndryshe politike dhe ushtarake dhe do të trajtohet në tjetër format.
“FSK-ja ka një plan të saj që në përfundim të tij në vitin 2028 , do të jetë një situatë ndryshe edhe politike por edhe ushtarake, e cila më pastaj do të trajtohet në formatin e ri qe është forcë mbrojtje të territorit të Kosovës”, ka deklaruar Drizan Shala./Gazeta Blic/


