Gjatë realizimit të detyrës për largimin e mjeteve shpërthyese të mbetura nga lufta në fshatin Arllat, nga Organizata HALO është gjetur mjeti shpërthyes në oborrin e një shtëpie.
Bëhet e ditur se EOD ka intervenuar me të marrë informacionin.
Me anë të një postimi në Facebook, FSK njofton se me të arritur në vendngjarje, ekipi i EOD-së ka marrë situatën nën kontroll duke siguruar banorët e lagjes dhe duke kryer evakuimin e tyre.
“Pastaj ekipi me profesionalizëm ka kryer punët mbrojtëse për të penguar efektet shpërthyese të mjetit të gjetur me qëllim të ruajtjes së jetës dhe pronës, dhe është kryer shpërthimi i kontrolluar i mjetit shpërthyes në mënyrë të sigurt duke ruajtur edhe shtëpinë që ishte në distancë 15 metra nga mjeti shpërthyes”, thuhet në postim.
Tutje bëhet e ditur se ekipet e EOD-së së Kompanisë së Deminimit të FSK-së janë ekipe të trajnuara, shumë profesionale që ndihmojnë në largimin e këtyre rreziqeve dhe ruajtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve të Republikës së Kosovës.