Sporti

Franca e Belgjika konfirmojnë trajnerët pavarësisht dështimit në Europian

07/08/2021 21:10
nga:Mergim Rreci

Zhgënjimi më i madh në Euro 2020 do të mbetet padyshim Franca e Didier Deschamps, që erdhi në këtë kompeticion me kurorën e “mbretëreshës së botës”, për që u largua në fazën e 1/8-ave, pasi u eliminua nga Zvicra.

Presidenti i Federatës Franceze të Futbollit, Noel Le Graet, hodhi dyshime mbi të ardhmen e Didier Deschamps, por tani që kanë kaluar disa ditë nga eliminimi u bujshëm, ka vendosur të konfirmojë teknikun deri në fund të Kupës së Botës Katar 2022.

“Çështja u zgjidh në tre minuta bisedë dhe Deschamps do të jetë trajneri i Francës në Kupën e Botës Katar 2022. Ai kishte shumë dëshirë të vazhdonte punën dhe unë gjithashtu ta konfirmoja, ndaj tani na mbetet të tregojmë në fushë, se morëm vendimin e duhur”, tha Le Graet.

Një tjetër zhgënjim pësoi edhe Belgjika, që i dha lamtumirën Europianit në çerekfinale, pasi u eliminua nga Italia, megjithatë edhe Federata Belge vendosi të konfirmojë në pankinë trajnerin spanjoll Roberto Martinez.

Tekniku spanjoll ka kontratë me “djajtë e kuq” të Europës deri në fund të Kupës së Botës Katar 2022 dhe në një intervistë për mediat katalane zbuloi se ka marrë konfirmimin nga federata Belge për të vijuar punën dhe se po mendon për pjesën e mbetur të eliminatoreve dhe për “Final Four”-in e Ligës së Kombeve.