Cult

“Fotografia më mbajti gjallë larg atdheut” – historia e dhimbshme e portretit familjar

01/27/2026 18:07
nga:G B

Piktori Eshref Qahili, gjatë rrëfimit mbi krijimtarinë e tij në emisionin KultOra në Klan Kosova ka ndarë edhe një fotografi me një rrëfim prekës që qëndron prapa saj.

Në kohën e shpërnguljeve, vëllai i gjyshit të tij, kur kishte vajtur në Turqi, krejt çfarë kishte pasur pas shpirtit kishte qenë një fotografi e familjes së tij, të cilën kishte kërkuar t’ia dërgonin nga atdheu në të 1950-tat.

Dekada më pas, kur ishte ribashkuar me familjen, ai u kishte thënë se ajo fotografi “e kishte mbajtur gjallë”.

Në intervistën me autorin e emisionit, gazetarin Lum Gashi, Qahili tha se kjo fotografi përshkruan historinë e popullit shqiptar në shekullin e shkuar.

 “Kjo fotografi për mu flet shumë, m’i kujton prindërit, gjyshin, hallën e axhës, por edhe historinë e popullit shqiptar. Është rasti kur gjyshit tim, vëllai i tij, i ka kërkuar një fotografi me ia dërgu në Turqi, se i ka harru fytyrat…në vitin 1928 është shpërngul për Turqi dhe dikur 1950-52 e kanë fotografu familjen dhe ia kanë cu foton. E kur ka ardhë në 1968 për herë të parë pas atyre viteve, me atë fotografi…ka thënë që kjo është fotografia që më ka mbajtë gjallë. Ka thënë që sa herë kam shku në punë, e kam kqyrë fotografinë, kom fjetë t’u e kqyrë fotografinë. Përndryshe, s’kisha mujt me jetu deri tash” – tha ai në KultOra.