Lajme

Foto me Edi Ramën dhe me armë zjarri – Profili i 21-vjeçarit që po kërkohet për vrasjen e policit në Lezhë

09/28/2021 14:48
nga:M K

Policia e Shtetit në Shqipëri është vënë në kërkim të 21-vjeçarit, Aldi Rama nga Elbasani, i cili është i dyshuari kryesor për vrasjen e efektivit të policisë në Lezhë gjatë ditës së sotme.

Vrasja dyshohet se ka ndodhur në kohën kur zyrtari policor ka qenë në detyrë duke kontrolluar një zonë të dyshimtë për kultivimin e lëndëve narkotike.

Policia e Shtetit ka ofruar edhe 20 mijë euro shpërblim për këdo që ofron informacione që do të ndihmonin lokalizimin dhe arrestimin e 21-vjeçarit të dyshuar për vrasjen e efektivit.

Në profilin e tij në rrjetin social Facebook, 21-vjeçari Aldi Rama shfaqet në foto me armë zjarri mbi tavolinë, ndërsa në një foto tjetër të postuar në vitin 2016, shihet me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën.

Ende nuk dihet nëse i dyshuari për vrasjen e efektivit të policisë ka ndonjë lidhje familjare me kryeministrin Rama, pasi që të dy kanë mbiemrin e njëjtë.

Hetimet e policisë janë duke vazhduar për të zbardhur të gjitha rrethanat që quan deri tek vrasja e efektivit të policisë.