Lajme

Foshnja lind në banesë dhe vdes në QKUK, drejtoresha e Neonatologjisë: Ishte në gjendje të rëndë

10/17/2023 10:33
nga:G B

Policia e Kosovës ka nisur hetimet për vdekjen e një foshnjeje në Prishtinë, të cilën, sipas njoftimit, nëna e ka lindur në banesën e saj dhe më pas është dërguar në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK).

Sipas njoftimit të Policisë, foshnja është pranuar në Klinikën Gjinekologjike më 16 tetor rreth orës 06:15, ndërsa ka lindur rreth nëntë orë më herët.

Për këtë është kontaktuar Klinika e Neonatologjisë, nga e cila thuhet se foshnja e gjinisë mashkullore është pranuar në Klinikën e Neonatologjisë në të njëjtën datë, më datë 15 tetor 2023, në orën 22:10, me praninë e nënës dhe dajës.

Siç ka deklaruar drejtoresha e kësaj klinike Hajrie Ismaili, foshnja ka qenë në gjendje të rëndë, pa frymëmarrje spontane, pa tone të zemrës, dhe kordoni umbilikalis nuk ishte punuar profesionalisht.

“Ju informojmë se foshnja e gjinisë mashkull është pranuar ne Kliniken e Neonatologjise  po të njëjtën date 15.10.2023 ne ora 22:10min ne përcjellje te nenës dhe dajës. Në pranim foshnja ka qene ne gjendje te rende e zbehte, pa frymëmarrje spontane, pa tone te zemrës me kordon umbilikal të pa përpunuar profesionalisht! Foshnja reanimohet, intubohet, ventilohet dhe behet masazhe kardiake dhe vendoset ne ventilim mekanik”, ka deklaruar ajo për RTV Dukagjinin.

Sipas saj, gjendja e foshnjës ka qenë shumë kritike dhe analizat laboratorike kanë treguar një gjendje të rëndë.

“Gjendja klinike e foshnjës ka qene shume e rende, po ashtu edhe analizat laboratorike kane indikuar gjendje te rende (acidoze respiratore, metabolike, anemi dhe ne ekzaminime plotësuese: echo e trurit- edeme trunore) Është bere trajtimi sipas te gjeturave klinike dhe laboratorike. Perkunder te gjitha masave reanimuese foshnja exiton me datën 16.10.2023 ne ora 06:15min”, ka thënë tutje Ismaili..

Ndërkaq, ajo po ashtu, ka thënë se foshnja është transferuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion në përcjellje te policisë, punëtores sociale, personelit neonatal dhe familjareve.