Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u deklarua të mërkurën për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Ai u përgjigj rreth deklaratës së raportueses së Kosovës në PE, Viola von Cramon, se ka informacione se Qeveria ka një plan për Asociacionin.
Kurti tha se po i ‘del mjaft një ASK i komunave që është’, derisa tha se nuk ka asnjë plan.
Lidhur me këtë çështje, Ehat Miftaraj nga IKD, ka thënë për Gazeta Blic se kërkesa e partnerëve ndërkombëtarë është që Kosova të ketë një propozim për Asociacionin, derisa Kushtetuesja ka gjetur se ai mund të cenojë Kushtetutën.
“Kërkesa e vazhdueshme e partnerëve ndërkombëtarë është se Kosova duhet të vjen me një propozim lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Përderisa, vendimi i Gjykatës Kushtetuese i ka përcaktuar parametrat në fushat ku ka gjetur se statuti i të njëjtit mund të cenojë Kushtetutën e Kosovës”, thekson Miftaraj për Gazeta Blic.
Sipas tij, Kosova nëse ka vullnet politik, mund të ketë një propozim që promovon të drejtat e serbëve në Kosovë e që garanton rendin kushtetues.
“Qeveria e Kosovës, nëse ka vullnet politik mund të dalë me një propozim i cili promovon të drejtat e komunitetit serb në Kosovë, por që garanton rendin kushtetues dhe funksionimin demokratik të institucioneve kushtetuese në Kosovë”, deklaron Ehat Miftaraj./Gazeta Blic/