Mediat në Angli raportojnë se edhe në listën prej 26 futbollistësh që Southgate pritet ta publikojë këto ditë, Alexander-Arnold nuk do të jetë, pavarësisht se javët e fundit po tregon një formë të jashtëzakonshme me një gol dhe 4 asiste në 7 ndeshje.
Shkak duket mungesa e ekuilibrit mes fazës mbrojtëse dhe asaj sulmuese, pasi në idenë e Southgate për formacionin e “tre luanëve”, i duhet një mbrojtës më i kujdesshëm sesa futbollisti i Liverpoolit, që avancon shumë dhe harron detyrat defensive.
Kur trajneri i “tre luanëve” vendosi të mos e grumbullojë Alexander-Arnold në muajin mars, në debat u përfshi edhe Jurgen Klopp, i cili tha se nuk e kuptonte zgjedhjen e Southgate për të lënë jashtë mbrojtësin.
“Unë jam vetë trajner dhe shpesh bëjmë zgjedhje që të tjerët nuk i kuptojnë, por veprimi i Gary-t më duket i çuditshëm. Alexander-Arnold është larg formës së sezonit të kaluar, por mbetet sërish nga më të mirët në rolin e tij. Është njësoj si të krahasosh Messin e këtij sezoni me atë të para disa viteve, ku argjentinasi nuk ka të njëjtin rendiment, por sërish mbetet më i miri në botë”, pati deklaruar Klopp atëherë.
Anglia e nis Kampionatin Europian më 13 qershor me përballjen ndaj Kroacisë, ndërsa Gary Southgate duhet të dorëzojë listën zyrtare me 26 futbollistët e grumbulluar brenda datës 1 qershor, që është edhe afati i fundit i vendosur nga UEFA.
Sipas mediave britanike, surpriza e listës së përfaqësueses së “tre luanëve” pritet të jetë grumbullimi i 17-vjeçarit Jude Bellingham, i cili po bën një sezon mjaft të mirë me Borussian e Dortmundit.


