Lajme

Forcohet partneriteti Kosovë-Austri në fushën ekonomike dhe teknologjike

6 ditë më parë
nga:G C

Partneriteti ekonomik dhe teknologjik mes Kosovës dhe Austrisë ka marrë një zhvillim të dukshëm gjatë viteve të fundit, duke u përqendruar gjithnjë e më shumë në shkëmbimin e shërbimeve dhe investimet në infrastrukturën moderne.

Ekspertët dhe drejtuesit e shoqatave ekonomike nga Austria kanë vlerësuar se marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve janë forcuar dhe evoluar në një partneritet të qëndrueshëm, i cili ka kaluar nga fokusimi te investimet direkte në zhvillimin e shërbimeve dhe infrastrukturës.

Wilhelm Nest, drejtor i “Advantage Austria” në Kosovë, e ka theksuar se marrëdhënia mes dy shteteve është forcuar gjatë dekadës së fundit, derisa ka shpjeguar ndryshimin e fokusit, ai tha: “Kemi një marrëdhënie shumë të mirë me Kosovën për një kohë të gjatë. Le të themi 10 vjet më parë, tema kryesore ishte investimi i drejtpërdrejtë i huaj nga Austria në Kosovë. Tani, veçanërisht shkëmbimi i shërbimeve është ai që e bën marrëdhënien ndërmjet Kosovës dhe Austrisë të lulëzojë.”

Nest gjithashtu ka vënë në pah interesin e Austrisë për investimet në infrastrukturën e Kosovës, sidomos në sektorët e energjisë dhe trafikut.

“Natyrisht, Austria është shumë e interesuar për investime në infrastrukturën në Kosovë. E dimë që po punoni për përmirësimin e sektorit të energjisë, pastaj do të ketë infrastrukturë të trafikut që duhet të ndërtohet ose përmirësohet. Kjo është patjetër një fushë, ku kompanitë austriake janë të interesuara të bëjnë biznes,” ka theksuar ai për EO.

Christian Rupp, anëtar i Bordit Këshillues të Shoqatës së Miqësisë Austriake-Kosovare, e ka theksuar rëndësinë e digjitalizimit dhe sigurisë kibernetike si elemente kyçe për zhvillimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.

Ai ka thënë: “Ne të gjithë jetojmë në të njëjtin vend në Evropë. Dhe kemi një sovranitet të veçantë, le të themi, digjital. Për shembull, çfarë duhet bërë me sigurinë kibernetike, çfarë duhet bërë me shërbimet qeveritare digjitale ndërkufitare, çfarë duhet bërë për të nxitur dhe përgatitur ndërmarrjet tona të vogla dhe të mesme për digjitalizimin.“

Rupp ka theksuar gjithashtu potencialin e madh të Kosovës në fushën e teknologjisë dhe digjitalizimit, duke përmendur studentët kosovarë si burim të rëndësishëm talenti.

“Mendoj se potenciali është në çdo sektor. Sepse sot keni, për shembull, inteligjencën artificiale edhe në bujqësi, pra bujqësinë e mençur. E keni në shëndetësi, sektori i e-shëndetësisë. Keni telemjekësinë. Dhe pastaj keni shumë llogaritje me performancë të lartë në metavers dhe gjithashtu në fushën e llogaritjes kuantike dhe sigurisë kibernetike,” ka përfunduar ai.