Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, republikani Adam Kinzinger, paraqiti sot një projekt-rezolutë.
Projekt-rezoluta kërkon lejimin e përdorimit të forcave ushtarake amerikane për të mbrojtur Ukrainën, në rast se Rusia përdor armë të shkatërrimit në masë.
Në një shpjegim të draftit, të publikuar në faqen e tij të internetit, Kinzinger theksoi se rezoluta është hartuar për të siguruar që administrata amerikane mund të marrë “masat e duhura nëse Federata Ruse përdor armë kimike, biologjike ose bërthamore”.
Ai shtoi se iniciativa, nëse miratohet, “i jep presidentit të SHBA-së autoritetin për të përdorur forcat amerikane për t’iu përgjigjur një skenari në të cilin Federata Ruse përdor armë kimike, biologjike ose bërthamore kundër Ukrainës”.
“Ne duhet të ngrihemi për njerëzimin, së bashku me aleatët tanë”, theksoi Kinzinger.
Deri më tani, administrata e presidentit amerikan Joe Biden ka hedhur poshtë mundësinë e dërgimit të forcave amerikane në Ukrainë, duke shpjeguar se një skenar i tillë do të rrezikonte një konflikt të drejtpërdrejtë ushtarak midis Rusisë dhe NATO-s.


