Sporti

“FORCA” njofton marrëveshjen mes tifozëve, lojtarëve dhe kryesisë së Vushtrrisë

10/27/2026 20:50
nga:L J

Tifogrupi “FORCA” ka njoftuar se pas disa mbledhjeve të mbajtura mes tifozëve, lojtarëve dhe kryesisë së FC Vushtrria, është arritur një marrëveshje për tejkalimin e situatës së krijuar në klub.

Njoftimi vjen pasi Vushtrria nuk u paraqit fare në ndeshjen ndaj Ballkanit, duke ngritur shqetësime për gjendjen në të cilën ndodhet klubi.

Përmes një komunikate zyrtare, “FORCA” e ka cilësuar marrëveshjen si një hap pozitiv, duke theksuar se tash është e rëndësishme që zotimet e arritura të respektohen nga të gjitha palët dhe të mos mbesin vetëm fjalë.

Tifozët kanë kërkuar që lojtarëve t’u garantohen siguri, kushte të dinjitetshme dhe respekt për punën e tyre, ndërsa nga drejtuesit e klubit kanë kërkuar përgjegjësi, transparencë dhe seriozitet.

“FC Vushtrria është më shumë se një klub futbolli — është krenaria e qytetit tonë”, thuhet në komunikatën e “FORCËS”, e cila ka bërë thirrje që interesat e klubit të vendosen mbi gjithçka.

Në fund, tifogrupi ka theksuar se tash është koha që fjalët të kthehen në vepra dhe marrëveshja të dëshmohet përmes përgjegjësisë konkrete, në të mirë të klubit, lojtarëve dhe qytetit të Vushtrrisë.

NJOFTIMI I PLOTË:

“Për Vushtrrinë!

Pas disa mbledhjeve të mbajtura ndërmjet tifozëve, lojtarëve dhe kryesisë së klubit, është arritur një marrëveshje për tejkalimin e situatës së krijuar në FC Vushtrria.

Ky është një hap pozitiv për klubin tonë, por tani më e rëndësishmja është që marrëveshja e arritur të respektohet nga të gjitha palët dhe zotimet të mos mbesin vetëm fjalë.

Lojtarët duhet të kenë siguri, kushte të dinjitetshme dhe respekt për punën e tyre, ndërsa klubi duhet të ecë përpara me përgjegjësi, transparencë dhe seriozitet.

FC Vushtrria është më shumë se një klub futbolli — është krenaria e qytetit tonë. Për këtë arsye, kërkojmë që interesat e klubit të vendosen mbi gjithçka dhe të punohet për një të ardhme më të mirë.

Tash është koha që fjalët të kthehen në vepra dhe marrëveshja të dëshmohet me përgjegjësi konkrete.

Për FC Vushtrrinë, për lojtarët dhe për qytetin tonë!”, thuhet në komunikatë.