Sporti

Fonseca befason para ndeshjes ndaj Juventus: Janë më të fortë se Real Madrid!

11/22/2024 16:08
nga:Mergim Rreci

Trajneri i Milanit, Paulo Fonseca, pretendon se Juventusi është më i mirë se Real Madridi për sa i përket elementit mbrojtës të lojës së tyre.

Milani do të presë Juventusin në ‘San Siro’ nesër në mbrëmje, duke filluar nga ora 18:00, shkruan GazetaBlic Sport.

Disa nga paraqitjet më të mira të Milanit nën drejtimin e Fonseca-s kanë ardhur kundër skuadrave ‘më të mira’, duke përfshirë një fitore 2-1 në Derby della Madonnina kundër Interit dhe një fitore të paharrueshme 3-1 jashtë kundër Real Madrid në Ligën e Kampionëve.

Fonseca ka shpjeguar se është e pritshme që lojtarët e tij të ndjehen të gatshëm për ndeshjet e mëdha kundër Interit, Juventusit dhe Madridit, por ka sugjeruar në disa raste se është e vështirë të gjesh të njëjtin nivel motivimi kundër skuadrave më të vogla.

“Nuk ndjej presion për këtë lloj loje (kundër Juventusit), është çështje motivimi”, tha Fonseca gjatë konferencës së tij për shtyp para ndeshjes.

“Është e lehtë të kuptohet se lojtarët janë të motivuar kundër Interit, Juves, Real Madridit, është më e vështirë të shkosh te Cagliari dhe të kesh të njëjtën dëshirë”.

I pyetur nëse do të përdor taktika të ngjashme me ndeshjen jashtë Madridit, Fonseca u përgjigj: “Unë mendoj se do të jetë një lojë ndryshe. Mendoj se Juve është më i fortë se Real Madridi në mbrojtje. Ata mbrohen më mirë si ekip”, përfundoi Fonseca.

/GazetaBlic Sport/