Lajme

Fondi i Kosovës për Luginën e Preshevës, Kamberi: Këto mjete do të shkojnë aty ku preken përditë zemrat e njerëzve

11/22/2024 09:03
nga:N K

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka komentuar miratimin e një fondi prej 4 milionë eurosh për Luginën e Preshevës nga Parlamenti i Kosovës.

Kamberi përmes një porstimi thekson se ky vendim nuk është vetëm një shifër simbolike, por një mbështetje konkrete.

“Parlamenti i Republikës së Kosovës ka marrë një vendim me peshë jetike për Luginën e Preshevës, një fond prej 4 milionë euro për vitin 2025, që përkthehet në mbështetje konkrete dhe të prekshme për shqiptarët e Luginës.

Pas aprovimit në Qeveri e tashmë miratimi në lexim të dytë të Parlamentit për këtë fond nuk është thjesht një numër në letër. Është një mesazh i qartë dhe i fortë nga Kosova se shqiptarët e Luginës nuk janë dhe nuk do të jenë kurrë vetëm!”, shkroi ai, raporton GazetaBlic.

Ai shtoi se këto mjete do të investohen në fushat kyçe si arsimi, kultura, sporti dhe sektorë të tjerë që përmirësojnë jetesën e përditshme.

Ndryshe, ai tha se ky fond tregon solidaritetin e Kosovës me shqiptarët e Luginës, që janë të përballur me diskriminimin shtetëror.

“Lugina është krenaria jonë e përbashkët, edhe më fuqishëm me Kosovën që po qëndron pranë nesh në këtë situatë  të rëndë që po na imponohet nga diskriminimi shtetërorë.”, tha ndër të tjera Kamberi.