Zvicra dhe Anglia do të përballen në çerekfinale të ‘Euro 2024’.
Ky takim do të zhvillohet të shtunën me fillim nga ora 18:00, atje ku pritet të jetë një ndeshje jashtëzakonisht interesante.
Në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’, gazetari i afërt me kombëtaren helvete, Lucas Werder tha se fokusi i Anglisë do të jetë tek gjetja e një mënyre për të bllokuar Granit Xhakën.
Sipas tij, Xhaka është absolutisht futbollisti më i mirë i Zvicrës deri më tash në ‘Euro 2024’.
“Besoj që i gjithë fokusi i Anglisë është tek Granit Xhaka, sepse mendoj që është pa asnjë dyshim lojtari më i mirë i Zvicrës në ‘Euro 2024’. Ai më të vërtetë po tregon paraqitje fantastike në Kampionatin Evropian dhe absolutisht mendoj që fokusi i kundërshtareve do të jetë të ndalin Xhakën në mesfushë”, tha fillimisht ai.
Tutje, ai u pyet se a do të jetë Xherdan Shaqiri startues në këtë ndeshje, ku tha se e sheh si opsion më të mirë si zëvendësues, duke kuptuar gjendjen e tij momentale.
“Nuk e di nëse Xherdan Shaqiri do të luajë nga minuta e parë ndaj Anglisë, por nuk më duket në gjendjen më të mirë fizike. Ai ishte një lojtar shumë i rëndësishëm në ndeshjen ndaj Skocisë, por që mendoj se do të ishte një zëvendësues i mirë, sidomos nëse ndeshja shkon në kohën shtesë ndaj ‘Tre Luanëve”, vazhdoi Werder.
Krejt në fund, ai komentoi edhe mundësitë e Zvicrës për të kaluar tutje, ku tha se në rast se helvetët luajnë sikur ndaj Italisë, atëherë çdo gjë është e mundur.
“Zvicra bëri paraqitje fantastike ndaj Italisë dhe do të mbetet të shihet nëse kjo gjë do të përsëritet edhe ndaj Anglisë, e cila nuk ka bërë edhe paraqitje shumë të mira në këtë ‘Euro 2024’. Mendoj se Anglia është favorite, por që do mbetet të shihet nëse Zvicra do të bëjë një tjetër ndeshje të madhe dhe do të sigurojë kalimin tutje, gjë që absolutisht nuk është e pamundur”, përfundoi Werder.
/GazetaBlic Sport/