Lajme

Flutura Kusari: Tentativë brutale e VV-së për ta vënë nën kontroll RTK-në!

09/05/2025 18:56
nga:N K

Juristja e medias, Flutura Kusari, ka ngritur shqetësime serioze për ndërhyrjen politike të Lëvizjes Vetëvendosje në Radio Televizionin e Kosovës, duke e cilësuar si një nga format më të ashpra të censurës dhe tentativave për kapje të transmetuesit publik.

Në një intervistë për Gazeta Blic, Kusari theksoi se pas ardhjes së Vetëvendosjes në pushtet, gjashtë muajt e parë nuk kishte shenja të tendencave për censurë, por se tashmë, pas disa vitesh në pushtet, po shihet një përpjekje e kulmuar për ta vënë RTK-në nën kontroll të plotë.

“Kapja ende nuk ka ndodhur, por ka censurë dhe presion të vazhdueshëm ndaj gazetarëve. Po përdoren njerëz brenda RTK-së që i shërbejnë pushtetit, me qëllim që të mos ketë kritika ndaj qeverisë dhe që televizioni publik të shndërrohet në propagandë për VV-në,” tha Kusari.

Ajo e cilësoi si të kundërligjshme tentativën për largimin e gjashtë redaktorëve nga ekrani, e bërë kjo përmes ndryshimeve të skemës programore, pa vendim të bordit dhe në kundërshtim me kontratat e punës.

Sipas saj, ky veprim rrezikon jo vetëm pavarësinë editoriale të RTK-së, por edhe proceset demokratike në vend.

“Rreziku i parë është që RTK të përdoret si vitin e kaluar, kur raportoi rrejshëm për disa media. Rreziku tjetër është fushata për zgjedhjet lokale – nëse këta redaktorë largohen, RTK mund të shndërrohet në mjet propagande për Vetëvendosjen, duke dëmtuar rëndë transparencën dhe duke i mohuar qytetarëve informimin e paanshëm,” tha ajo.

Kusari bëri të ditur se sot Avokati i Popullit ka pranuar gazetarët e RTK-së në një takim të gjatë, ku u prezantuan rastet e censurës dhe shkeljes së të drejtave.

Sipas saj, Avokati ka premtuar fillimin e një hetimi, të cilin ajo e cilësoi si “arritje në vetvete”.

“Kam respekt të jashtëzakonshëm për Avokatin e Popullit. Vetë fakti që është interesuar për këtë temë dhe se po nisin hetimet, është hap i madh. Më pas përgjegjësinë e kanë institucionet si Inspektorati i Punës dhe gjykatat, që duhet ta luajnë rolin e tyre,” shtoi Kusari.

Në përfundim, ajo theksoi se prioritetet e këtyre hetimeve janë dy: dokumentimi i ndërhyrjeve politike në transmetuesin publik dhe rikthimi i gjashtë redaktorëve në ekran para nisjes së fushatës zgjedhore, për të garantuar raportim të drejtë e të paanshëm.

/Gazeta Blic/