Kombëtarja e Kosovës e zhvillon sonte një ndeshje shumë të rëndësishme në fazën kualifikuese për Kupën e Botës.
“Dardanët” do të përballen sonte me kombëtaren e Spanjës në stadiumin “Fadil Vokrri” nga ora 20:45, shkruan GazetaBlic Sport.
Mesfushori i kombëtares, Florian Loshaj tha se lojtarët janë të motivuar 100% për ndeshjen e sotme dhe shpresojnë në një rezultat pozitiv.
“Jemi të motivuar 100%. Normalisht e dimë se Spanja është një skuadër superiore me shumë cilësi, por ne besojmë se me angazhim maksimal mund të marrim një rezultat pozitiv”, tha fillimisht Loshaj për ‘GazetaBlic Sport’.
25 vjeçari tha se dy ndeshjet e fundit të Kosovës, ndaj Greqisë dhe Gjeorgjisë i kanë dhënë lojtarëve një motivim shtesë.
“Besoj se këto dy ndeshja na kanë kthy besimin përsëri. Kemi pas një kohë të vështirë. Këto 4 pikë në 2 ndeshjet na japin një motivim shtesë”, vazhdoi ai.
Në fund ai tha se është i lumtur që është pjesë e kombëtares tonë dhe gjithmonë jep maksimumin për fanellën dardane.
“Unë personalisht e ndi veten mirë, jam i lumtur që jam pjesë e kësaj kombëtare. Kur trajneri më jep minuta, unë mundohem të japë maksimumin për fanellë”, përfundoi Loshaj.
/GazetaBlic Sport/


