Lajme

Florian Dushi: LDK-ja ka nevojë për reflektim, përgjegjësi dhe unitet pas zgjedhjeve

01/13/2026 21:11
nga:G B

Anëtari i LDK-së, Florian Dushi, ka bërë thirrje për reflektim të përgjegjshëm dhe ruajtje të unitetit brenda partisë pas rezultatit zgjedhor, duke theksuar se analiza e brendshme është e domosdoshme, por nuk duhet të shndërrohet në përçarje apo ndëshkim.

Dushi ka theksuar se përgjegjësia politike nuk përfundon me ditën e zgjedhjeve dhe se LDK-ja duhet të refuzojë ndarjet në kampe dhe gjuhën e akuzave, duke u kthyer te filozofia politike e Presidentit Ibrahim Rugova, e bazuar në urtësi, tolerancë dhe dialog.

Sipas tij, uniteti nuk është slogan, por parakusht për ringritjen dhe rikthimin e LDK-së si alternativë serioze për të ardhmen e Kosovës.

Postimi i tij:

Reflektim, përgjegjësi dhe unitet – rruga që duhet ta ndjekë LDK-ja

Pas çdo procesi zgjedhor, reflektimi është i domosdoshëm. Edhe LDK sot ka detyrim të analizojë punën, vendimet dhe qasjet e saj. Por reflektimi nuk duhet të jetë as ndëshkim, as dorëzim. Reflektimi duhet të shërbejë për t’u forcuar, jo për t’u përçarë.

Përgjegjësia në një parti politike nuk përfundon me ditën e zgjedhjeve. Ajo vazhdon edhe sot – në mënyrën si flasim, si veprojmë, si e ruajmë strukturën tonë dhe si e mbajmë gjallë shtëpinë politike që na ka bashkuar. Sjellja jonë pas zgjedhjeve dhe rezultatit jo të mirë është po aq vendimtare sa puna jonë para dhe gjatë zgjedhjeve.

Prandaj, është e domosdoshme të refuzojmë me guxim e vendosmëri çdo përpjekje për ta ndarë LDK-në në kampe – tarafe, për të ngritur gishtin ndaj njëri-tjetrit, për të shpërndarë akuza të shpejta e etiketime të pavenda. Kjo nuk është rruga jonë dhe as trashëgimia jonë.

LDK është një parti që mbështetet në filozofinë dhe kulturën politike të Presidentit Rugova – kulturë e urtësisë, qetësisë, tolerancës dhe dialogut të brendshëm. Çdo gjuhë tjetër nuk reflekton atë çfarë kemi qenë dhe çfarë duhet të jemi.

Asnjë “unë” nuk qëndron mbi LDK-në, parti e angazhimit dhe e sakrificës historike, e në anën tjetër uniteti nuk është slogan, por parakusht për ringritjen tonë. Ai nuk ndërtohet duke heshtur problemet, por duke i adresuar me përgjegjësi dhe respekt. LDK nuk mbrohet duke mbyllur sytë e bërë kalkulime, por duke punuar së bashku, pa humbur nga fokusi qëllimin tonë të përbashkët: rritjen, fuqizimin dhe rikthimin e LDK-së si alternativa serioze e Kosovës së nesërme.