Sporti

Florentino Perez ‘shpërtheu’ me kritika ndaj lojtarëve pas humbjes nga Bayern Munich

04/16/2026 18:35
nga:Mergim Rreci

Presidenti i Real Madridit, Florentino Pérez, ka reaguar ashpër ndaj lojtarëve të skuadrës pas humbjes dramatike 3-4 ndaj Bayern Munich në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Sipas raportimeve, kreu i klubit ka zbritur menjëherë në dhomat e zhveshjes pas ndeshjes dhe ka kritikuar pa mëshirë paraqitjen e ekipit, duke e cilësuar sezonin si një dështim të madh.

Perez fillimisht kishte besuar në një tjetër përmbysje historike, sidomos pas golit të hershëm të Arda Güler, por këtë herë mrekullia nuk ndodhi.

“E vlerësoj përpjekjen tuaj, por ky sezon është një zhgënjim i madh. Një sezon pa titull është dështim për Real Madridin, por dy radhazi janë absolutisht të papranueshme”, mësohet të ketë thënë Perez para lojtarëve.

Ai nuk kurseu kritikat as për mungesën e përkushtimit te disa prej yjeve, duke theksuar se të luash për Real Madridin është privilegj, por edhe përgjegjësi që nuk është përmbushur nga të gjithë.

Në fund, presidenti u bëri thirrje lojtarëve që të paktën ta mbyllin sezonin me dinjitet, ndërsa në klub priten analiza të thella dhe ndryshime të mëdha gjatë verës.

/GazetaBlic Sport/