Sporti

Florentina Kallaba në finalen e Kupës së Botës në futsall

12/06/2025 16:12
nga:Mergim Rreci

Gjyqtarja kosovare Florentina Kallaba është deleguar nga FIFA për të qenë pjesë e ekipit të gjyqtareve në finalen e Kupës së Botës në futsall, që do të zhvillohet të dielën në ora 12:30 në Manila të Filipineve, ndërmjet Brazilit dhe Portugalisë.

Kallaba është vlerësuar me notë maksimale për paraqitjet e saj gjatë këtij kampionati, duke fituar besimin e FIFA-s për të qenë pjesë e ndeshjes më të rëndësishme të garës.

Ky delegim për finalen përbën një sukses të jashtëzakonshëm personal për gjyqtaren kosovare, si dhe një arritje të madhe për sektorin e gjyqtarëve në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK).

Performanca dhe profesionalizmi i saj po e rrisin gjithnjë e më shumë besimin e institucioneve ndërkombëtare ndaj gjyqtarëve kosovarë, duke dëshmuar progresin e vazhdueshëm të këtij sektori.