Lajme

‘Flirtimet’ e Mimoza Kusari-Lilës me përfaqësuesit e Listës Serbe: Heshten drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje!

06/04/2024 11:36
nga:Y I

Ditën e djeshme u publikua në media një bisedë ndërmjet Shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila dhe të sanksionuarit të SHBA-ve, të dyshuarit kryesor për sulmin në Banjskë, kriminelit, Milan Radojiçiq.

Pas publikimit të kësaj bisede, kanë ardhur reagime të shumta nga partitë opozitare, shoqëria civile dhe njohësit e çështjeve të sigurisë.

Nga partia ku bën pjesë Mimoza Kusari-Lila, ka ardhur vetëm një reagim nga zëdhënësi i këtij subjekti politik, Arlind Manxhuka.

Ai ka thënë se trashëgimia e tyre (pushtetet e kaluara) nuk bëhet dot mëkat i Vetëvendosjes.

“Gazeta Blic” ka provuar të kontaktojë me disa deputetë të kësaj partie, në lidhje me rastin në fjalë, por ata nuk kanë qenë të qasshëm në thirrjet tona.

As nga kryeministri i vendit, Albin Kurti, ende nuk ka ardhur një reagim në lidhje me rastin në fjalë.

Por, ‘flirtimet’ e Kusari-Lilës me përfaqësues të Listës Serbe janë të vjetra në kohë.

Të njëjtës, vetëm një vit më parë, iu publikuan në media audio-inçizime me deputetin e Listës Serbe, Slavko Simiq.

Këto biseda dyshohet se u zhvilluan në zyrën e Shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së.

Gjatë bisedës, deputeti i Listës Serbe i kishte kumtuar Kusari-Lilës se do ‘do t’i thyhej koka edhe asaj edhe kryeministrit Kurti’ dhe se kishte folur pesë herë me të dyshuarin për krime, Milan Radojiçiqin.

Megjithëse në fillim Kusari-Lila kishte mohuar se kishte biseduan me të sanskionuarin e SHBA-ve dhe të dyshuarin për vrasjen e Oliver Ivanoviq, duke thënë se e kishte dëgjuar vetëm në ‘interfon’ që i ishte dhënë nga deputeti serb, më pas ajo pohoi të kundërtën.

Kusari-Lila në emisionin ‘Debat Plus’ konfirmoi bisedën me Radojiçiqin.

“Në situatën këta në secilin problem që e kanë mundohen me e sjell Radojçiqin me ia ngritë atij pazarin. Ndodhë kjo çka ka ndodhë. Edhe tash në momentin kur ai flet edhe thotë që ‘është e vështire për mua’ dhe unë i them që këto janë situata dhe rrethanat që janë kriju dhe tjerët se ku di unë, se ata munden me lshu dhe nuk është as po më bën përshtypje. Milan Radojçiqin mundet me qenë i burgosur, mundet me qenë i dënuar dhe në momentin që të thotë kjo është fjala që po du me ta thënë, ti e dëgjon. Unë ia kamë kthyer përgjigjen në gjuhën shqipe ne atë që ai ka fol” kishte deklaruar Mimoza Kusari-Lila..

Në bisedat e publikuara, një vit më parë, dëgjohet shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së duke biseduar për miratimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, për ligjin e pagës minimale dhe veteranëve, përmend nënkryetarin e PDK-së, Uran Ismailin, duke e quajtur ‘idiot patetik’, si dhe e përmend Ramush Haradinajn e Bekim Haxhiun.

Kjo u pasua me reagim të fortë opozitar në Kuvend, veçanarisht nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e cila shpërndau pankarta në Kuvend me mbishkrimin “Zdravo”.

Kjo solli edhe përleshje fizike mes deputetëve të PDK-së dhe LVV-së ku u përfshinë edhe zv/kryeministri Besnik Bislimi dhe Ministri i Financave, Hekuran Murati.

Skandali ‘Zdravo’ është vetëm njëri nga skandalet e shumta në të cilat është përfshirë ‘Qeveria Kurti’ gjatë 3 viteve e gjysëm sa është në pushtet.

/Gazeta Blic/

‘Alo zemlajk’: Një pjesë e bisedës në mes të Mimoza Kusarit dhe Milan Radojçiqit

Çitaku për bisedën Kusari-Lila – Radojiçiq: Të hetohet nga organet